Nga 41 azilantë të transferuar nga Italia dhe të strehuar në kampin e Gjadrit në Shqipëri, 16 rezultojnë të humbur, sipas një denoncimi zyrtar të dy deputeteve italiane, Cecilia Strada dhe Rachele Scarpa të Partisë Demokratike.
Deputetet, pas një vizite në kamp më 27 prill 2025, kanë deklaruar se nga lista fillestare prej 41 personash, vetëm 25 ndodheshin aktualisht në qendër. “Ku janë 16 të tjerët?”, pyetën ato, duke theksuar se asnjë informacion zyrtar nuk u dha lidhur me mungesat, pavarësisht kërkesave për akses në dokumentacion.
Sipas informacionit të mbledhur nga deputetet përmes burimeve publike, avokatëve dhe regjistrit të ngjarjeve kritike, besohet se:
Një emigrant u kthye menjëherë në Itali pas mbërritjes në Shqipëri.
Gjashtë emigrantë të tjerë janë kthyer në Itali për shkak të pamundësisë për të vërtetuar ligjërisht ndalimin e tyre.
Pesë emigrantë janë larguar pas episodeve të rënda vetëlëndimi, duke u konsideruar të papërshtatshëm për ndalim për arsye shëndetësore.
Deputetet theksojnë se transferimi dhe ndalimi i emigrantëve në Shqipëri është “një vuajtje e panevojshme” dhe “një shpenzim i panevojshëm”. Gjatë vetëm 13 ditëve të para të funksionimit të qendrës, janë regjistruar 35 episode kritike, kryesisht vetëlëndime dhe tentativa vetëvrasjeje. Disa emigrantë janë dërguar për trajtim mjekësor në struktura shqiptare për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Nga intervistat me të paraburgosurit dhe dokumentacioni i mbledhur, rezulton se shumë prej tyre marrin medikamente psikotrope për të përballuar situatën. Deputetet denoncojnë gjithashtu përdorimin e mjeteve frenuese, si prangat, gjatë transportimit të emigrantëve, në shkelje të nenit 32 të Kushtetutës italiane.
Për më tepër, ato ngritën shqetësime serioze për kushtet e qendrës: alarmet e zjarrit, të vendosura në mënyrë të papërshtatshme, mund të përdoren për tentativa varjeje, çka e bën strukturën të rrezikshme për jetën e të ndaluarve. Vetëm një javë më parë, një incident i tillë ka ndodhur realisht.
Deputetet e përshkruajnë situatën në Gjadër si “një histori dramatike dhe një buletin horror”, rezultat i një operacioni të kryer me nxitim dhe pa kritere të qarta përzgjedhjeje. Ato kritikojnë mungesën e transparencës dhe mungesën e garantimit të të drejtave themelore të të ndaluarve.
Në përfundim, deputetet Strada dhe Scarpa e cilësojnë projektin e qendrave CPR në Shqipëri si të dështuar, duke denoncuar si pasojë një strukturë gjysmë bosh, e kthyer në një skenë dëshpërimi, vetëdëmtimi dhe shpenzimesh të kota mbi kurrizin e taksapaguesve italianë.