Skip to content
Të Gjitha

Hoxha: Reformë në botën e krimit, ja kush po merr drejtimin e bandave

· 1 min lexim

Gazetari Artan Hoxha, ishte i ftuar në emisionin “Opinion” deklaroi se ngjarjet e fundit kriminale në vend janë shqetësuese dhe duhet të marrin vëmendjen që meritojnë.

Ai i krahasoi vrasjet e fundit në vend me një reformë që po ndodh në botën e krimit, ndërsa kallashnikovin e krahasoi me vettingun në dorën e njerëzve të përfshirë në këtë botë.

Hoxha tha se prej një viti e gjysmë, disa të rinj po marrin drejtimin e grupeve kriminale kryesore në vend.

“Jemi në një fazë që nga një anë e kemi mendjen tek reforma në drejtësi ndërsa nga ana tjetër në botën e krimit po ndodh reforma e vërtetë në drejtësi. Vettingu i tyre është kallashnikovi. Ka një vit e gjysmë që po ndodh një ndryshim rrënjësor në botën e krimit. Janë disa të rinj që po marrin drejtimin e grupeve që kanë dominuar gjatë këtyre viteve dhe kjo po ndodh nga Vlora deri në Shkodër.”, deklaroi Artan Hoxha.

Më tej Hoxha foli edhe për vrasjen e Hekuran Billës ku tha se policia po kërkon një person i cili dyshohet se ka ndihmuar autorët, pas arrestimit të sotëm të Sebastian Malit i dyshuar si autor i ngjarjes.