Skip to content
Kryesore

Hipokrizi e gjallë dhe lot krokodili/ Rama sot thotë “Marre”, Balla qan për UÇK-në: Ju kujtojmë çfarë bënin dje

· 5 min lexim

Sot Edi Rama thotë “Marre”. Taulant Balla shfaqet me lot në sy dhe e quan vendimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së “të turpshëm”. Por kur hiqen emocionet e ditës dhe rikthehet kronologjia, fotografia politike bëhet shumë më e sikletshme për dy prej njerëzve më në pozitë të mazhorancës shqiptare.

Sepse historia nuk filloi më 16 shtator 2026, kur Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi morën së bashku 81 vite burg.

Për Edi Ramën duhet kthyer ora 11 vite pas, në korrikun e vitit 2015, pikërisht kur Kosova ndodhej nën presionin e debatit për krijimin e Gjykatës Speciale.

Më 16 korrik 2015, Rama ndërmori një vizitë surprizë në Prishtinë. Nuk shkoi vetëm. Bashkë me të ishin ministri i Jashtëm i asaj kohe, Ditmir Bushati, dhe drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga.

Dhe nuk udhëtuan me një vizitë rutinë.

Rama mbërriti në Prishtinë me helikopter. Mediat u njoftuan vetëm pak minuta përpara uljes së tij në aeroport. Atje u takua me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, dhe Hashim Thaçin, në atë kohë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm. (Top Channel)

Top Channel raportonte atë ditë se tri temat e vizitës ishin Gjykata Speciale për krimet e luftës, kërcënimet nga ISIS dhe koordinimi për Samitin e Vjenës. Por raportimi shkonte më tej.

“Top Channel ka mësuar nga burime brenda takimit se kryeministrat dhe ministrat e pranishëm në takim kanë diskutuar për nevojën e formimit të Gjykatës Speciale për krimet e luftës”, shkruhej në raportimin e 16 korrikut 2015.

Sipas të njëjtit raportim, Mustafa dhe Thaçi i kishin thënë Ramës se po koordinoheshin me faktorët relevantë dhe se Gjykata do të miratohej së shpejti në Kuvend.

Kjo video është fshirë nga kanali i Top Channel në Youtube.

Ky është Edi Rama i vitit 2015. Ai që ushtronte presion për krijimin e kësaj Gjykate Speciale.

Sot është Edi Rama i vitit 2026.

Pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së, ai publikoi vetëm një fjalë:

“Marre”.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Edi Rama (@ediramaal)

Një fjalë e fortë, por që hap një pyetje edhe më të fortë për vetë autorin e saj: ku ishte kjo revoltë kur Gjykata Speciale po merrte formë dhe Rama fluturonte me helikopter drejt Prishtinës në një takim ku diskutohej pikërisht “nevoja” për krijimin e saj?

Sot Rama e sulmon rezultatin e një mekanizmi që në vitin 2015 e diskutonte në tryezën më të lartë politike të Kosovës. Sot sillet sikur duhet t’i kërkojë llogari botës për atë që prodhoi Specialja. Por kronologjia e 2015-s nuk zhduket nga një postim me një fjalë.

Dhe nëse reagimi i Ramës ngre pikëpyetje për qëndrimin e tij ndër vite, lotët e Taulant Ballës përpara kamerave sjellin një kontrast tjetër.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by A2 CNN (@a2cnn)

Pas vendimit të 16 shtatorit, Balla u shfaq i përlotur dhe e quajti atë një vendim “të turpshëm”.

Por vetëm një vit më parë, çështja e krimeve serbe në Kosovë kishte mbërritur në një formë shumë konkrete përpara politikës shqiptare: një rezolutë në Kuvend për gjenocidin serb në Kosovë.

Rezoluta nuk mori votat e nevojshme.

Dhe kur Balla u pyet më 17 tetor 2025 nga A2 CNN se përse ishte votuar kundër, përgjigjja e tij ishte:

“Sa i përket gjenocidit, ato janë në rezolutat e Kuvendit atëherë kur është dashur, jo pas 26 vitesh”.

Pra dje, kur çështja ishte përpara Kuvendit, argumenti ishte se nuk kishte nevojë të bëhej “pas 26 vitesh”.

Sot, kur Haga jep 81 vite burg për katër ish-krerët e UÇK-së, kamerave u tregojmë lotët.

Tabloja është ajo e një hipokrizie politike të gjallë: revoltë sot, ndërsa dje qëndrimet dhe veprimet ishin krejt të tjera.

“Marre” në fakt definon qeverinë e turpit!

Një popull që përjetoi vrasje, masakra, terror dhe dëbime masive nga forcat shtetërore serbe sheh sot katër prej figurave kryesore të luftës së tij çlirimtare të dënuara nga një gjykatë me mandat të posaçëm që nuk është krijuar për të gjykuar krimet e regjimit që e shtypi atë popull.

Krimet serbe në Kosovë nuk janë një tezë politike shqiptare. ICTY ka konstatuar në aktgjykimet e tij një fushatë të gjerë dhune kundër popullsisë civile shqiptare dhe largimin e qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova.

Pikërisht për këtë arsye, sot nuk mjaftojnë lotët.

Nuk mjafton as një “Marre” e shkruar mbi një fotografi.

Sepse politika nuk gjykohet vetëm nga ajo që thotë pasi gjithçka ka ndodhur. Gjurmët e saj gjenden edhe në atë që ka bërë kur vendimet merreshin.

Në vitin 2015, Rama ishte në Prishtinë kur në tryezë diskutohej nevoja për Gjykatën Speciale. Në vitin 2025, shumica parlamentare rrëzoi rezolutën për gjenocidin serb dhe Balla e justifikonte qëndrimin duke thënë se çështja ishte trajtuar “atëherë kur është dashur”. Sot, njëri shkruan “Marre”, ndërsa tjetri derdh lot për vendimin ndaj UÇK-së.

Lexuesit mund ta gjykojnë vetë këtë kthesë politike.

Por një gjë nuk e fshin dot as retorika dhe as emocioni i kamerave: çfarë bënë dje është po aq pjesë e historisë sa ajo që thonë sot.