Policia e Tiranës ka nisur procedimin penal ndaj kreut të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, si dhe ndaj dy aktivistëve të kësaj force politike, të cilët prej afro tre muajsh po protestojnë përpara godinës së Kryeministrisë.
Sipas një njoftimi zyrtar të policisë, ndaj tyre ka nisur procedimi penal për tre vepra: “Pushtimi i tokës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. L., E. H. dhe A. B., për veprat penale ‘Pushtimi i tokës’, ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme’ dhe ‘Prishja e qetësisë publike’”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lapaj dhe aktivistët e tij kanë protestuar për muaj me radhë përpara Kryeministrisë, duke ngritur kërkesa dhe duke shprehur qëndrimet e tyre përmes tubimeve publike.
Procedimi penal ndaj tyre tregon se qeveria nuk po u lejon qytetarëve të protestojnë lirshëm përpara institucioneve. Edhe ushtrimi i së drejtës për të shprehur publikisht pakënaqësinë po trajtohet si vepër penale, duke kufizuar drejtpërdrejt lirinë e protestës dhe lirinë e fjalës. Ky është një realitet që i ngjan praktikave të një sistemi diktatorial, ku zëri kritik përballet me presion dhe ndëshkim.








