Ledian Goga, emigranti shqiptar që u hodh në lumin Arakhtos për të shpëtuar dy fëmijë grekë, është shpallur hero në Greqi. Ai veproi pa u menduar dy herë, duke rrezikuar jetën për të nxjerrë nga uji dy të miturit Spridhon Kristofor dhe Kleon Fezollari. Ngjarja ndodhi në zonën e Artës, ku Goga arriti t’i nxirrte fëmijët në breg, por, pavarësisht përpjekjeve, djemtë nuk arritën të mbijetonin. Pas minutash të tëra nën ujë, mjekët konfirmuan vdekjen klinike.
Në një akt tejet fisnik, prindërit e dy fëmijëve, njëri shqiptar dhe tjetri grek, vendosën të dhurojnë organet e djemve të tyre, duke i dhënë mundësinë për jetë të re fëmijëve të tjerë në pritje të transplantit. Një vendim i dhimbshëm, por me vlerë të jashtëzakonshme njerëzore.
Heroizmi i Gogës nuk kaloi pa u vlerësuar. Pak ditë pas ngjarjes, ai u përball me probleme shëndetësore. Gelltitje të forta dhe vështirësi në frymëmarrje e detyruan të kërkonte ndihmë mjekësore. Sipas njoftimeve zyrtare nga policia dhe spitalet greke, Ledian Goga kishte një kollë të fortë dhe iu rekomanduan analiza më të thelluara. Ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, ndërhyri personalisht dhe urdhëroi që një ambulancë e EKA-s ta transportonte Gogën në spital për trajtim të specializuar.
Aktualisht ai ndodhet në spitalin e Artës, ku po i nënshtrohet ekzaminimeve të hollësishme. Gjendja e tij është stabile dhe pa rrezik për jetën, sipas mjekëve grekë.
Për aktin e tij të jashtëzakonshëm, shteti grek ka vendosur t’i japë Gogës nënshtetësinë greke si shenjë nderimi. Ky është një veprim simbolik, por me peshë të madhe për një njeri që sfidoi rrezikun për të shpëtuar jetë.
Ndërkohë, rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe lamtumire për dy fëmijët që nuk arritën të mbijetojnë. “Do t’ju kujtojmë përgjithmonë, ikët si heronj,” – shkruajnë shokët e klasës në një letër prekëse që qarkullon online. Dhe falë dhurimit të organeve të tyre, ata me të vërtetë ikën si heronj, duke dhënë dritë për të tjerët.
Në mes të dhimbjes dhe dhuratës së jetës, Ledian Goga mbetet një simbol i kurajos dhe i humanizmit që i kalon kufijtë.