“Grushtet s’i kam frikë”/ Melisa Boçi lë Italinë për flamurin kuqezi, përfaqëson Shqipërinë në Botëror dhe synon UFC-në

Melisa Boçi është vetëm 25 vjeç, por ambiciet e saj në botën e MMA-së shkojnë larg. Shqiptarja e lindur në Itali do të garojë me flamurin kuqezi në Kampionatin Botëror të Arteve Marciale Mikse, që zhvillohet nga 1 deri më 7 tetor.
Edhe pse e ka nisur këtë sport vetëm katër vite më parë, Melisa ka arritur të ndërtojë shpejt një rrugëtim konkurrues.
“E fillova para 4 vitesh. E nisa si lojë por më vonë kuptova që kam shpirt gare dhe më pas nisa të bëj ndeshje,”-u shpreh fillimisht Melisa.
Për shumë njerëz, MMA-ja mund të duket një sport i ashpër dhe i frikshëm. Për 25-vjeçaren, megjithatë, përballja në ring është pikërisht ajo që e tërheq.
“Mua më pëlqen. Nuk kam frikë. Grushtat nuk janë të frikshëm,”-tha ajo në një intervistë për “Report TV”.
Melisa ka lindur dhe është rritur në Itali, ndërsa prindërit e saj janë me origjinë nga Elbasani. Pavarësisht kësaj, kur erdhi momenti për të zgjedhur se cilin vend do të përfaqësonte, ajo zgjodhi Shqipërinë.
“Po kam lindur në Itali, por Shqipëria është në zemrën time. Kultura më pëlqen. Kam vuajtur shumë kur isha e vogël. Shqip nuk di shumë mirë, më vjen turp (qesh), por do ta mësoj në vijim. Unë kam mbështetje nga shqiptarët dhe jam shumë e lumtur të ngrej lart flamurin shqiptar,”-u shpreh luftëtarja e MMA.
Në Botërorin e tetorit, objektivi i saj nuk është thjesht pjesëmarrja. Melisa synon të ngjitet në majën e podiumit.
“Do shkoj për medalje. Gocat kundërshtare janë shumë të forta, por unë kam shpirt gare. I kam të gjitha për të fituar,”-deklaroi Melisa.
Besim tek ajo ka edhe trajneri Mateo Casini, i cili veçon disiplinën dhe intensitetin e stërvitjes së 25-vjeçares.
“Melisa është luftëtarja në e zonja në ekipin tim. Ajo gjithmonë stërvitet pa ndërprerje. Dy herë në ditë. Besoj se mund ta dallosh thjeshtë dedikimin që ka për stërvitjen. Qëllimi në kampionatin botëror është të fitojmë medaljen e artë se besoj i kemi të gjitha mundësitë,”-u shpreh Mateo Casini.
Edhe presidenti i Federatës Shqiptare të MMA-së, Arjan Rizai, e konsideron Melisën një sportiste me potencial të madh, duke theksuar se rivalet e saj garojnë në UFC dhe në ligat më të forta të botës.
“Melisa është një sportiste shumë e fortë. Rivalet e veta i ka në UFC dhe në ligat më të forta në botë. Federata italiane, me të cilën kemi një marrëdhënie shumë të mira, na ka bërë të ditur të gjithë sportistët të cilët kanë dëshirë të përfaqësojnë Shqipërinë. Nëse ne jemi të gatshëm. Melisa është kampione e Italisë përpara se të shkojë në Botëror. Është shumë e thjeshtë për ne dhe është krenari ta mbështesim,”-tha Rizai.
Botërori mund të jetë vetëm etapa e radhës për Melisa Boçin. Pas tij, 25-vjeçarja pritet të ketë mundësinë të bëjë hapin më të madh të karrierës, me një kalim të mundshëm në UFC, organizatën më të rëndësishme të MMA-së në botë.