Pas tre vitesh në një pritje të lodhshme, më 30 nëntor 2025, çështja e Aeroportit të Vlorës më në fund u rikthye për gjykim në themel. Gjykata Administrative e Apelit urdhëroi që padia e ngritur nga EuroNatur, PPNEA dhe AOS të shqyrtohet nga e para, duke hapur rrugë që kjo kauzë të trajtohet në substancë. Për herë të parë, duket se drejtësia i afrohet Nartës.
View this post on Instagram
Gazeta Reforma e ka ndjekur këtë histori hap pas hapi, që prej ditës së parë kur buldozerët hynë në një nga ekosistemet më të rëndësishme të Shqipërisë. Kemi ngritur zërin, kemi denoncuar dëmet, kemi bërë thirrje institucioneve brenda dhe jashtë vendit, por askush nuk e ka vënë ujin në zjarr. Ndërsa në Shqipëri vijon gara e përhershme se kush vjedh më shumë nën petkun e investimeve strategjike, ky vendim është më në fund një dritë e vogël shprese për mjedisin.
Sipas EuroNatur, vonesa trevjeçare e gjykimit ka sjellë pasoja shkatërrimtare për lagunën, e cila vazhdoi të gërryehej nga punimet pavarësisht thirrjeve të Konventës së Bernës dhe Komisionit Europian për t’i ndalur. “Pavarësisht padisë dhe apeleve, punimet vazhduan, duke shkaktuar shkatërrim masiv të një prej ekosistemeve më të vlefshme të Shqipërisë dhe Evropës”, u shpreh Annette Spangenberg, Drejtoresha e Programit të Ujërave të Ëmbël të EuroNatur.
Pamjet e fundit të aeroportit të përmbytur kanë shërbyer si dëshmi e qartë se sa absurde është ideja për të ndërtuar në ligatina. Por ky është vetëm një kapitull i një historie shumë më të gjatë, një historie ku paralajmërimet kanë qenë të qarta që prej fillimit.
Në shkurt 2025, EuroNatur i kërkoi Këshillit Bashkiak të Mynihut të hiqte mbështetjen për projektin, pasi kompania që menaxhon Aeroportin e Mynihut ka qenë këshilluese në planifikimin e tij. Drejtori ekzekutiv Gabriel Schwaderer theksoi se po shkelen hapur standardet mjedisore evropiane, ndërsa institucionet gjermane mbeten të përfshira në këtë projekt që e ka trazuar opinionin publik ndërkombëtar. Por ndërtimet në Nartë nuk u ndalën, duke e çuar drejt zhdukjeje një habitat unik.
Alarmet për këtë shkatërrim nuk nisën dje. Që në vitin 2022, The Guardian paralajmëroi se ndërtimi i aeroportit kërcënon koloninë e pelikanëve dalmat dhe prish një nga korridoret më të rëndësishme të shtegtimit në Evropë. Ekspertët shqiptarë të ornitologjisë e quajtën projektin një sulm të ri ndaj shpendëve, këtë herë jo nga gjuetarët, por nga buldozerët. Ndërsa qeveria pretendonte se aeroporti nuk prekte zonën e mbrojtur, realiteti terrenor dhe reagimet ndërkombëtare tregonin krejt të kundërtën.
Edhe Komisioni Europian, që në 2020, kishte paralajmëruar se aeroporti i Vlorës është në kundërshtim me direktivat e BE për mbrojtjen e natyrës. Raporti theksonte se investimet strategjike po hapin rrugë për shkelje të rënda, duke rrezikuar peizazhin e mbrojtur Vjosë Nartë, një zonë që i plotëson të gjitha kriteret për t’u shpallur ligatinë me rëndësi ndërkombëtare.
Në këtë panoramë të errët, vendimi i Apelit është një fitore e vogël, por e rëndësishme. Është një kujtesë se zëri i organizatave, i ekspertëve, i gazetarëve dhe i çdo qytetari që ka folur për Nartën, nuk ka qenë i kotë. Është një hap që tregon se pavarësisht gjithçkaje, drejtësia ndonjëherë mund të trokasë edhe në dyert e mjedisit.
Dhe sot, kur në Shqipëri çdo centimetër tokë shihet si shans për të betonizuar e jo për të mbrojtur, Narta na kujton se natyra nuk flet, por mbron veten me mënyrën e vet. Dhe gjykata, më në fund, po dëgjon.







