Bundeswehr-i, ushtria gjermane, ka nisur zbatimin e një prej angazhimeve të saj më të mëdha të kohëve të fundit, vendosjen e përhershme të rreth 5,000 trupave në Lituani, në kuadër të forcimit të mbrojtjes së krahut lindor të NATO-s, përballë kërcënimeve në rritje nga Rusia.
Më 1 prill në Vilnius u aktivizua zyrtarisht Brigada e 45-të e tankeve, e cila përbën bazën operacionale të kësaj njësie të re luftarake.
Kjo është hera e parë që Gjermania vendos një brigadë të tërë jashtë vendit për një stacionim të përhershëm. Stema e brigadës mbart simbolin e kullës Gedimina të Vilniusit, duke nënvizuar lidhjen mes dy vendeve.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e cilësoi këtë vendim si një “mesazh të qartë për çdo kundërshtar të mundshëm” dhe një garanci për mbrojtjen e çdo centimetri të territorit të NATO-s.
Lituania, me një popullsi prej tre milionë banorësh, është e pozicionuar në një zonë gjeopolitike tejet delikate, midis Kaliningradit rus dhe Bjellorusisë, aleates së Kremlinit.
Në bashkëpunim me Gjermaninë, vendi baltik ka porositur 44 tanke moderne Leopard 2 A8, të njëjtin model që do të përdorë edhe Bundeswehr-i, për të rritur ndërveprimin dhe efikasitetin ushtarak.
Ndërtim i madh infrastrukture në Rudninkai
Ndërsa deri në fund të vitit 2025 pritet të jenë vendosur 500 trupa në terren, dislokimi i plotë i brigadës do të përmbyllet brenda vitit 2027. Ndërtimi i kazermave, infrastrukturës rrugore dhe zgjerimi i një linje hekurudhore në bazën stërvitore në Rudninkai, rreth 30 km nga kufiri me Bjellorusinë është në zhvillim.
Paralelisht, në qytetet Vilnius dhe Kaunas po ndërtohen shkolla dhe kopshte për familjet e personelit ushtarak.
Megjithatë, sigurimi i forcës së plotë 4,800 ushtarë dhe 200 punonjës civilë mbetet një sfidë.
Për këtë arsye, qeveria gjermane ka miratuar një ligj të ri, të njohur si “Neni i pikë-kthesës”, që parashikon paga më të larta dhe kushte më të favorshme për shërbimet brenda dhe jashtë vendit.
Kushte të posaçme për Bundeswehr-in në Lituani
Bazuar në marrëveshjen dypalëshe të nënshkruar në shtator 2024, Gjermania ka të drejtë të përdorë infrastrukturën lituaneze pa qira, të magazinojë pajisje ushtarake, të operojë zyra postare ushtarake dhe të hapë shkolla në gjuhën gjermane sipas programeve arsimore të njohura nga autoritetet lituaneze.
Që prej vitit 2017, Gjermania ka udhëhequr një njësi shumëkombëshe të NATO-s në Lituani.
Tani, ajo njësi është vendosur nën komandën e brigadës së re, duke thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh dhe përforcuar mbrojtjen kolektive në kufijtë lindorë të aleancës.