Gjekson Pusi, i arrestuar i katërt për vrasjen e Hekuran Billës, ka mohuar të ketë lidhje në këtë ngjarje. Hetuesit thonë se ai ka qenë shoferi i mjetit “Mercedez” i përdorur në këtë atentat.
I marrë në pyetje nga hetues të Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës, 33 vjeçari ka pohuar se mbrëmjen e 30 qershorit kur ndodhi krimi, ka qenë në banesën e tij në Shkodër. Ai përdori si argument faktin se ndodhej me masë sigurie “arrest në shtëpi” dhënë nga gjykata e këtij rrethi për armëmbajtje pa leje.
Sipas hetuesve, kamerat e sigurisë në zonën e “Komunës së Parisit”, e kanë fiksuar atë të ketë qenë në mjetin tip Mercedes Benz, i përdorur nga atentatori, që sipas tyre, është Viktor Marku, vëllai i Prel Markut, vrarë në 2006 në Angli nga Billa.
Po, nga ana tjetër, Pusi nuk ka mohuar njohjen që ka me Viktor Markun, por ka thënë se kishte muaj që nuk e kishte takuar.
ROLI I PUSIT
Hetimet kanë zbuluar se 33 vjeçari dyshohet të ketë pasur sërish rolin e shoferit, duke e larguar Viktor Markun nga Peza e Vogël, pasi dogjën makinën që përdorën në krim.
Ndaj Gjekson Pusi rëndojnë dy akuza, pasi ai dyshohet të jetë edhe autor i tentativës së vrasjes së Fatjon Harushës, kushëririt të deputetit socialist Luan Harusha disa ditë më parë në Dobraç të Shkodrës.