Situata me zjarret në Shqipëri vazhdon të jetë shumë e vështirë, me dy fronte të rrezikshme aktive në Gramsh, në fshatrat Kullollas dhe Bletëz, ku flakët po përhapen shpejt për shkak të erës, duke rrezikuar banesat e banorëve.
Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e banorëve nga tre fshatra: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, megjithatë disa banorë janë ende të bllokuar në terren.
Situata është kritike dhe kërkohet ndihmë urgjente, ndërkohë që tymi i dendur pengon ndërhyrjen e ambulancave, zjarrfikësve dhe forcave të emergjencës.
Në terren po veprojnë 80 forca të Forcave të Armatosura së bashku me njësitë vendore, që punojnë pa ndërprerje për të izoluar dhe shuar zjarret.
Në orët në vijim pritet nisja e operacioneve ajrore, për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur banesat dhe infrastrukturën.
Përveç zonës së Gramshit, vatrat aktive janë të shpërndara në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Në qarqet Berat, Tiranë dhe Dibër, zjarret kanë arritur pranë zonave të banuara, duke detyruar evakuimin e disa fshatrave, sidomos në Poliçan dhe Rehovë.
Disa vatra janë përhapur në zona malore me terren të vështirë, ku ndërhyrja nga toka është e pamundur dhe kërkohet mbështetje ajrore, si në Damjan (Tiranë) dhe Xath (Pukë).
Në qarkun Vlorë, në bashkitë Finiq dhe Delvinë, pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër, zjarri vazhdon të jetë aktiv dhe problematik. Në terren operojnë 8 mjete zjarrfikëse, nga të cilat 4 janë të Forcave të Armatosura, dhe rreth 90 forca, mbështetur nga helikopteri i Forcës Ajrore dhe avionë nga Greqia, Çekia dhe Sllovakia.
Sot do të vijojë puna me këto kapacitete, duke përfshirë edhe helikopterin Black Hawk të Forcave Ajrore.
Në Parkun e “Rëzom” në majën e “Lucës”, pranë tunelit të Skërficës, zjarri po digjet në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje, por terreni i vështirë e bën ndërhyrjen nga toka të pamundur. Situata është nën monitorim dhe deri tani paraqitet e qëndrueshme.
Në qarkun Dibër, në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit (bashkia Bulqizë), zjarri vazhdon në një zonë të mbrojtur, larg zonave të banuara, ku digjen bimë të rralla dhe barishte. Në fshatin Xibër (bashkia Klos), vatra e zjarrit është izoluar dhe monitorohet nga autoritetet.
Në qarkun Berat, në bashkinë Poliçan, zjarri aktiv vazhdon pranë Azilit të të Moshuarve dhe është përhapur në fshatrat Plirëz dhe Rehovë, ku banorët po evakuohen. Në terren janë angazhuar pesë mjete dhe rreth 75 forca operacionale, mbështetur edhe nga helikopteri i Forcës Ajrore.
Në qarkun Tiranë, zjarri është aktiv në zonën e “Malit të Bërzhitës” në fshatin Ibë, ku forcat operacionale po punojnë për shuarjen e tij. Në fshatrat Stërbeg (bashkia Rrogozhinë) dhe Spanesh, po punohet për fikjen e zjarreve me mjete dhe forca vendore. Në fshatin Hajdaraj (bashkia Kavajë), vatrat janë drejt shuarjes së plotë, me mbështetje ajrore.
Në zonën e fshatrave Damjan, Isufaj dhe Arbanë (njësia Vaqarr), zjarri i madh po sfidon forcat në terren, ku operojnë 6 mjete zjarrfikëse dhe rreth 40 forca, të mbështetura nga një avion Canadair kroat.
Në fshatrat Ferraj dhe Zall-Herr (bashkia Tiranë), po operojnë forcat me mjete zjarrfikëse dhe dy helikopterë Blackhawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por situata mbetet e ndërlikuar dhe rrezikon banesat.
Në kodrat e Selitës (bashkia Tiranë), zjarri po digjet në zona të vështira për qasje dhe monitorohet nga forcat bashkiake.
Në qarkun Durrës, në fshatin Barkanesh (bashkia Krujë), një vatër zjarri është aktivizuar në terren të vështirë, ku po veprojnë forca vendore dhe mjete zjarrfikëse.
Në qarkun Gjirokastër, në fshatrat Turan, Lekel dhe Koder (bashkia Tepelenë), zjarri ka djegur dy stalla dhe shkaktuar dëme minimale në bagëti. Në terren janë angazhuar rreth 100 forca dhe mjete nga i gjithë qarku, të mbështetura nga dy helikopterë çek dhe sllovak.
Në qarkun Elbasan, në fshatrat Mukaj dhe Sojnik (bashkia Gramsh), zjarri vazhdon në zona me shkurre dhe ferra, ku punojnë forcat e MZSH Gramsh dhe 25 efektivë të Forcave të Armatosura Elbasan.
Në qarkun Shkodër, në hyrje të qytetit Pukë, forcat vendore po mbajnë situatën nën kontroll pa rrezik për banorët. Në fshatin Xath (bashkia Fushë Arrëz), zjarri po digjet në një sipërfaqe me pisha dhe pengon ndërhyrjen tokësore. Përveç 80 forcave vendore, sot janë angazhuar edhe 65 forca të Forcave të Armatosura me mjete zjarrfikëse.
Në qarkun Kukës, në fshatin Gegaj (bashkia Tropojë), një vatër zjarri aktive po mbahet nën kontroll dhe nuk kërcënon banesat. Forcat operacionale vendore dhe 5 mjete zjarrfikëse janë në terren. Në bashkinë Kukës, në fshatin Shëmri, një vatër tjetër në zonë pyjore po monitorohet nga autoritetet.
Në qarkun Korçë, në fshatin Gërmenj (bashkia Kolonjë), një vatër zjarri aktive po digjet në pyjet me pishe, por terreni i vështirë e bën ndërhyrjen nga toka të pamundur. Situata mbetet nën vëzhgimin e MZSH Kolonjë.