Skip to content
Të Gjitha

Firmosi heqjen e mandatit për Tahirin, KPK jep vendimin për Besim Hajdarmatajn

· 2 min lexim

Prokurori i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kulifikimit.

Trupa që dha vendimin për Hajdarmataj përbëhej nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Suela Zhegu.

Përtej konfirmimit në detyrë, trupa vendosi transferimin e dosjes penale të Përmetit për 12 ton drogë, për shkelje disiplinore në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, shkruan ‘Balkanweb’.

Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999.

Përgjatë 20 viteve ai ka punuar në Prokurorinë e Tropojës dhe Kurbinit.

Në maj të 2015-ës, ai emërohet prokuror te Krimet e Rënda, ndërsa një vit më vonë do të merrte në dorë frenat e këtij institucioni.

Hajdarmataj pati edhe nj përplasje me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Markun, e cila e transferoi në Pogradec në shtator të 2018-ës.

Ai e ankimoi transferimin në Gjykatën Administrative dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili i dha të drejtë dhe e ktheu sërish në detyrë.

Hajdarmataj ka pasur në dorë çështje tepër të nxehta, si ajo e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, për të cilin firmosi heqjen e mandatit, apo avionit me drogë në zonën e Ishmit, ku u arrestua pilot Italian, Guido Guidi.