Skip to content
Kryesore

Helmohen rreth 20 fëmijë në kopshtin nr. 2 në Korçë/ Babai: Drejtoresha nuk iu përgjigj prindërve

· 6 min lexim

Dyshime për helmim ushqimor janë ngritur në kopshtin nr. 2 në Korçë, pasi një grup fëmijësh kanë shfaqur simptoma të ngjashme, ndërsa disa prej tyre kanë përfunduar në spital për të marrë trajtim mjekësor. Sipas njërit prej prindërve, numri i vogëlushëve që kanë shfaqur shqetësime mund të jetë rreth 20.

Koço Xexo, babai i një prej fëmijëve, tregoi se djali i tij nisi të kishte shqetësime pasi u kthye nga kopshti. Fëmija u mor rreth orës 13:30, kur përfundonte qëndrimi për grupin e fëmijëve që nuk flenë në kopsht.

Fillimisht ai kishte shfaqur shqetësime të lehta në bark, por pas gjumit gjendja ishte rënduar. Sipas të atit, të vjellat u bënë gjithnjë e më të shpeshta, ndërsa fëmija humbi fuqinë dhe u zverdh, duke bërë që familja ta dërgonte menjëherë në spitalin e Korçës.

“Fëmijën e morëm nga kopshti rreth orës 1:30 që mbaron ajo pjesa e fëmijëve që rrinë pa gjumë. Për momentin na tha që kishte pak shqetësime me barkun, po në rastet e këtyre fëmijëve kaq të vegjël është një gjë që e thonë më shpesh. Më pas fjeti, u qetësua dhe kur u ngrit, u ngrit direkt edhe kishte të vjella. Të vjellat nisën, u bënë më periodike dhe më të shpeshta më vonë dhe arritëm deri në fazën që na u duk shumë shqetësuese sepse fëmija humbi pothuajse edhe fuqinë fare, na u zverdh shumë edhe u bë shumë shqetësuese.

Edhe u nisëm që në atë moment drejt spitalit të Korçës ku morëm trajtim. Djali im ishte një çikë më shumë i avancuar, mori një trajtim një çikë më të plotë, ndërkohë që duke diskutuar dhe me prindërit e tjerë dëgjuam që kjo gjë kishte ndodhur pothuajse masivisht në të gjithë fëmijët. Dikush me simptoma më të lehta, dikush me simptoma më të rënda. Aty me sa pashë vajtën dhe diku te 5-6 fëmijë të tjerë të cilët u trajtuan në spital.”

Sipas Xexos, fëmijët kishin konsumuar pilaf, mish pule dhe kos, ndërsa në mëngjes kishin ngrënë bukë me vezë.

“Fëmijët me sa na tha djali kishte pilaf, dhe ai kishte dhe copa mish pule, kos, ndërkohë që dhe në mëngjes kishte ngrënë bukë me vezë.

Mjekja, djalit tim të paktën i bëri analiza të plota sepse ishte pak shqetësuese në fillim dhe doli që kishte helmim më tha nga produktet ushqimore, dyshonte për këtë. Ndërkohë që dhe analizat treguan që kishte rruaza të larta të bardha të gjakut që tregonte që kishte një vështirësi më shumë në organizëm nga kjo punë, nga helmimi.”

Fëmija qëndroi për më shumë se pesë orë në spital dhe, pasi gjendja e tij u përmirësua, u dërgua në shtëpi me trajtim të mëtejshëm. Gjatë mbrëmjes pati edhe temperaturë, por sipas të atit, gjendja u lehtësua me kalimin e orëve.

Prindi ngre gjithashtu shqetësimin për mungesën e komunikimit me drejtuesit e kopshtit. Ai tha se edukatorja e grupit shkoi në spital dhe u interesua për fëmijët, ndërsa prindërit nuk arritën të kontaktonin drejtoreshën.

“Më pas morëm edhe trajtime të tjera për në shtëpi kur e nxorëm. Mund të kemi qëndruar mbi 5-6 orë në spital dhe e pamë që u përmirësua pak situata. Morëm dhe disa trajtime të tjera, na bëri dhe pak temperaturë në darkë, po duke kaluar orët pati një lehtësim. Nga drejtoresha nuk arritëm dot të merrnim asnjë kontakt asnjë nga prindërit, ndërkohë që edukatorja e grupit të kopshtit u shfaq e shqetësuar, e interesuar, erdhi në ambientet e spitalit duke u interesuar për të gjithë fëmijët. Atë që kishte kompetencë ajo e bëri se deri më shumë nuk ka për të bërë në dorë, kurse nga pjesët e tjera të kopshtit pothuajse nuk morëm kontakt fare.

Shumë prindër tentuan ta telefononin disa herë drejtoreshën dhe nuk patën asnjë lloj përgjigje nga telefoni. Jo, nuk e hapi fare. Me sa dëgjuam nga ato zonjat. Pastaj në qoftë se të tjerët kanë arritur dikush ta kontaktojë nuk e di, po një pjesë e madhe e ne prindërve që ishim aty nuk arritëm dot të merrnim kontakt. Si fillim duhet që të shohim çfarë problemi ka patur, që të kuptojmë më mirë se çfarë problemi kishin fëmijët dhe më pas pastaj patjetër që kur të merren masat e duhura do përpiqemi ta shpiem prapë.”

Xexo tha se nuk kishte një shifër të konfirmuar, por nga komunikimet mes prindërve vlerëson se rreth 20 fëmijë mund të kenë shfaqur simptoma. Disa prej tyre, sipas tij, patën shqetësime më të lehta, ndërsa të tjerë kishin nevojë për trajtim spitalor. Në disa raste, simptomat janë shfaqur edhe një ditë më vonë.

“Me shifër të saktë nuk e di, me përafërsi mendoj se mund të jenë diku te 20 fëmijë. Me sa dëgjova nga të gjithë prindërit që u interesuam, një pjesë ishim në një gjendje që morëm trajtim në spital, por të gjithë shfaqën simptoma, dikush më të lehta, dikush më të rënda, por që pothuajse të gjithë shfaqën simptoma. Madje një pjesë e shfaqën edhe ditën pasardhëse.”

Babai i fëmijës tha se nuk beson se ngjarja mund të ketë qenë e qëllimshme, por kërkoi që të verifikohet nëse ka pasur pakujdesi apo probleme me kontrollin e produkteve ushqimore. Ai kërkoi gjithashtu shtim të kontrolleve dhe përgjegjësisë për shkak të moshës së vogël të fëmijëve.

“Unë nuk besoj se mund të jetë një gjë me qëllim, ose mund të jetë diçka nga pakujdesia ose nga kontrolli i produkteve të para që merren. Puna është që ata janë fëmijë shumë të vegjël edhe situata të tilla i rëndojnë shumë organizmin dhe për hir të së vërtetës në momentet e para u trembëm pak për gjithçka ndodhi. Kështu që kërkojmë që të paktën të jetë kujdesi një çikë më i lartë, sidomos edhe te fëmijët, edhe të shtohen pak ndoshta më shumë kontrollet ose dhe përgjegjësia e njerëzve që janë afër fëmijëve, sepse janë pothuajse të pambrojtur në moshën që janë”, tha Koço Xexo.