Pse nuk po arrestohet Adi Hila? Kamerat, videot intime dhe “miqtë” që e njoftuan për “sulmin”: Prokuroria të kontrollojë mesazhet dhe të vlerësojë masë arresti

Pavarësisht se skandali i Adi Hilës ka hapur një mori temash të tjera, thelbi është shumë më serioz se emrat që po qarkullojnë në rrjet: dyshimi se persona janë filmuar në momente intime pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre. Në këtë pikë, drejtësia nuk mund të kufizohet te pritja se cili prej personave të ekspozuar do të marrë guximin të paraqitet në polici.
Vetë Hila ka deklaruar se kamerat i kishte vendosur ai, brenda dhe jashtë ambienteve, që prej vitit 2022, me pretendimin se shërbenin për sigurinë e pronës dhe funksiononin online. Por një prej pamjeve të publikuara ngre një pikëpyetje të fortë mbi këtë version: kur një person vëren pajisjen dhe e pyet për të, Hila dëgjohet duke i thënë se është “alarm”. Nëse kamera ishte thjesht një pajisje sigurie, Prokuroria duhet të zbardhë përse personit përballë nuk iu tha se po filmohej dhe nëse ai kishte dhënë pëlqimin për regjistrimin.
Edhe pretendimi se videot kanë dalë pas një sulmi apo ndërhyrjeje në sistem nuk mund të pranohet si shpjegim pa u provuar teknikisht. Hila ka deklaruar se për publikimin e materialeve është njoftuar nga “disa miq”. Atëherë hetuesit duhet të shkojnë pikërisht aty ku gjenden përgjigjet: te komunikimet. Kush janë këta miq? Kur e kanë njoftuar? Çfarë i kanë shkruar? Kur ka mësuar Hila për ndërhyrjen e pretenduar? Nëse ka pasur dijeni për një sulm të mëparshëm, kur e ka marrë këtë informacion dhe çfarë masash ka ndërmarrë më pas? Kronologjia e mesazheve dhe të dhënat teknike mund të tregojnë nëse versioni i dhënë përputhet me atë që ka ndodhur realisht.
Po aq serioz është pozicionimi i kamerave. Është ngritur pikëpyetja se përse një kamera që pretendohet se ishte vendosur për sigurinë e pronës filmonte hapësira ku zhvillohej jeta intime. Kjo duhet të përcaktohet me ekspertizë: çfarë fushe pamjeje kishin pajisjet, çfarë regjistronin, ku ruheshin pamjet dhe kush mund t’i aksesonte.
Ligji shqiptar nuk e trajton lehtë një situatë të tillë. Neni 121 i Kodit Penal parashikon gjobë ose burgim deri në dy vjet për vendosjen e aparaturave që mundësojnë regjistrimin e figurave, si dhe regjistrimin ose ruajtjen për publikim të të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private pa pëlqimin e personit. Shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi i materialeve të siguruara në këtë mënyrë dënohet me burgim deri në tre vjet.
Dhe tashmë ka një element që nuk mund të anashkalohet: Eli Fara ka deklaruar në polici se nuk kishte dijeni për kamerat. Kjo është një deklaratë që kërkon verifikim penal, jo trajtim si episod showbiz-i.
As mungesa e denoncimeve të tjera nuk duhet të shndërrohet në alibi për pasivitet. Pas publikimit masiv të materialeve intime, frika se mund të ekzistojnë apo të publikohen pamje të tjera është një arsye reale që persona të filmuar të mos duan të ekspozohen sërish. Për çdo element që ligji lejon të hetohet kryesisht, organet e drejtësisë duhet të veprojnë pavarësisht heshtjes së tyre.
Mbi të gjitha, kemi të bëjmë me prova elektronike, të cilat mund të fshihen, ndryshohen apo humbasin. Kodi i Procedurës Penale parashikon masa sigurimi kur ekziston dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova dhe plotësohen kushtet ligjore, përfshirë rrezikun për marrjen ose vërtetësinë e provës.
Prandaj Prokuroria duhet të veprojë tani: të sekuestrojë kamerat, telefonat, pajisjet e ruajtjes dhe komunikimet relevante; të rikuperojë materialet e fshira nëse ka të tilla; të përcaktojë origjinën dhe destinacionin e skedarëve dhe të rindërtojë kronologjinë e plotë të daljes së tyre.
Dhe nëse kjo provë teknike krijon dyshimin e arsyeshëm dhe evidenton kushtet që parashikon ligji për masë sigurimi, Prokuroria duhet të kërkojë masa më të ashpra ndaj Adi Hilës, deri në arrest.
Sepse përpara se interneti të presë videon e radhës, drejtësia duhet të sigurojë provat.