Skip to content
Të Gjitha

Ethet afrikane të derrit/ Alarmi i epidemiologut: Rrezikohemi! Gripi i ri ndikohet nga importi dhe…

· 2 min lexim

Një rrezik i ri po vërtitet në Shqipëri, në këto kohë virozash dhe gripesh stinore, përpos pandemisë Covid-19.

Epidemiologu veterinar, Kujtim Mersini ka ngritur alarmin për ardhjen e etheve afrikane të derrit në vendin tonë.

Mersini i ftuar në emisionin “Alert”, foli për raportin e EFSA-s për vendet e riskuara nga shpërthimi i sëmundjes së Etheve Afrikane të Derrave dhe se sa I rrezikuar është vendi ynë nga importi i derrave.

Ndër të tjera veterineri epidemiolog, tha se çështja e derrave të egër është problematika më e madhe, madje janë ngritur edhe barriera për mos lejuar kalimin e tyre.

“Risku është klasifikuar i lartë dhe ne kemi densitet më të ulët të derrave të egër, ndërsa rreziku qëndron nga vendet e tjera. Pikat kryesore të përhapjes janë në muajt e dimrit dhe verës, pasi lidhet me importin.

Ne importojmë nga Hungaria dhe Greqia, është sasia më e lartë e derrave të gjallë. Importi i mishit të therur është më i sigurt, ndërsa rreziku nga derrat e gjallë nga vendet me të prekura është më i lartë.

AKU duhet të rrisë kontrollet në Pikat Kufitare, ndërsa Ministria duhet të ndërmarrë planin e kontigjencës, veprimtaritë që duhet të marrë shërbimi veterinar për të kontrolluar sëmundjen dhe financat, pra është çështje politikbërje”-tha Mersini.

Sakaq Mersini tregoi edhe strategjinë që përdorin vendet për minimizimin e përhapjes së sëmundjes së Etheve Afrikane të Derrave dhe sa do rrezikonte vendi ynë nëse do infektohej.

“Është e ngjashme me murtajën afrikane të derrave, ndaj duhet bashkëpunim me fermerët dhe gjuetarët që të njihet sëmundja dhe të raportohet sa më shpejt për të minimizuar përhapjen e saj.

Kur bie sëmundja në një fermë eleminohen të gjithë derrat, pra është strategji për zhdukjen e përhapjes së sëmundjes, ku përveç dëmit ekonomik shkakton dhe eleminimin e derrave që kanë mbarështuar vetë.

Rreziku është i madh, pasi po hyri në Shqipëri do kishim shumë vështirësi në zhdukjen e kësaj sëmundje. Shqipëria është në kontakt me organet kompetente të BE, por nuk e di nëse është bërë plani që nëse sëmundja vjen tek ne, çfarë masash duhet të marrim, pasi po çalojnë dhe shtete shumë të fuqishme”-u shpreh Epidemiologu Veterinar Kujtim Mersini./GazetaReforma.com/