Skip to content
Të Gjitha

Denoncimi i qytetarit: 6 ditë i shërbeva vëllait me Covid 19, më thanë s’të bëjmë tampon pa pasur simptoma

· 2 min lexim

Një qytetar nga Shkodra që i ka shërbyer për 6 ditë të vëllait, pozitiv me Covid-19 ka denoncuar se mjekët nuk e lejojnë të bëjë tamponin.

Ai ndodhet jashtë ambienteve të Infektivit, ndërsa ka sqaruar për News24 se i është komunikuar nga spitali që tamponi do t’i bëhet vetëm kur të ketë simptoma, pavarësisht kontaktit të tij të ngushtë me Covid-19.

“Kemi ditë që lutemi të na bëhet tamponi. Kam qëndruar 6 ditë pranë vëllait të shtruar në spitalin e Shkodrës ku pas analizës ka dalë pozitiv dhe ka 4 ditë i shtruar në Infektiv. I jemi drejtuar të gjitha institucioneve përfshirë ISHP. Na thonë që nuk bëjmë tampone pa patur simptoma të Covid 19. Por ne jemi 7 familjarë që i kemi shërbyer tek koka të sëmurit në spitalin e Shkodrës dhe mund të jemi të infektuar pa simptoma dhe për rrjedhojë jemi kërcënim për familjarët tanë të afërm miq të njohur e të panjohur në Shkodër”,- tha ai.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar  45 raste të reja me Covid-19. Harta është zgjeruar në 9 qytete, ku numri më i madh i të infektuarve është në Tiranë. Sakaq është ulur numri i pacientëve të marrin mjekim në spitalin Infektiv. Aktualisht janë 71 persona që po marrin mjekim në këtë spital. Lajmi i mirë është se gjatë orëve të fundit janë shëruar 57 qytetarë.