Skip to content
Politikë

Debate të ashpra në seancën plenare/ Noka akuza Spiropalit

· 1 min lexim

Seanca plenare e kësaj të enjteje ka nisur me tensione dhe akuza të ashpra.

Flamur Noka, deputet i Partisë Demokratike, ngriti akuza të forta ndaj kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, duke e akuzuar se ka nisur seancën pa kuorumin e duhur, një shkelje që, sipas tij, e dëmton legjitimitetin e mbledhjes.

Në fjalën e tij, Noka ka bërë një akuzë të rëndë edhe ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për një incident të ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku, sipas Nokes, ka pasur përplasje fizike mes deputetëve të opozitës dhe Beqajt.

Noka e quajti Beqajn “hajdut dy metra”, duke aluduar për përfshirjen e tij në çështje të dyshimta financiare. Ai nuk ka ngurruar të përdorë një fjalor të ashpër, duke nënkuptuar lidhjet e Beqajt me skandale të shkuara.

Në këtë moment, kryetarja Spiropali ka ndërhyrë duke tërhequr vërejtje ndaj Nokes për përdorimin e një fjalori të tillë, duke e cilësuar si të papërshtatshëm për një seancë parlamentare. Ajo e ka këshilluar deputetin që të ruajë dinjitetin e diskutimeve dhe të shmangë fjalët ofenduese.