Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka lëshuar kritika të forta ndaj mënyrës se si funksionon administrata publike nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, duke akuzuar se në Shqipëri është zhdukur vija ndarëse mes shtetit dhe pushtetit.
Gjatë një aktiviteti të qendrës rinore “Arka” në Shkodër, me temë “Lidershipi në kohë të pasigurta”, Bushati ngriti shqetësimin për përfshirjen e administratës publike në aktivitete partiake edhe gjatë orarit zyrtar të punës, duke e cilësuar këtë një problem serioz për standardet demokratike në vend.
Ai solli si shembull një takim partiak të zhvilluar së fundmi nga kryeministri Rama me drejtues të administratës publike, ku sipas tij një pjesë e mirë e të pranishmëve ishin drejtorë institucionesh shtetërore që ndodheshin në selinë e partisë gjatë orarit zyrtar.
“Çfarë më bëri përshtypje? Dje-pardje, kryeministri kishte mbledhur në një takim drejtuesin politik të qarkut të Tiranës, ku një pjesë e mirë e të pranishmëve ishin drejtorë institucionesh shtetërore, që hynin në selinë e partisë në orar zyrtar pune. Pra, një tregues i qartë se nuk ka asnjë lloj vije ndarëse mes shtetit dhe pushtetit.
Ndërkohë që drejtori është aty për t’i shërbyer, gjatë 8-orëshit të punës të paktën, socialistit, demokratit, ballistit etj. Pas atij 8-orëshi mund të bëjë çfarë të dojë.
Në rastin e Shqipërisë nuk është çështje ndryshimi sistemi, por garantimi i fushës së lojës dhe kapaciteti, apo gatishmëria, për të pranuar humbjen e pushtetit. Në shoqëri që nuk kanë kulturë demokratike, rotacioni vjen më shumë nga gatishmëria e udhëheqësit për të pranuar humbjen e pushtetit sesa drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve. Ne duhet të ndajmë administratën e shtetit nga partia”, tha Bushati.
Ai u ndal edhe te problemet që lidhen me procesin zgjedhor në Shqipëri, duke theksuar se një nga arsyet kryesore pse zgjedhjet vazhdojnë të kontestohen është mungesa e transparencës dhe e rregullave të qarta për financimin e jetës politike.
“Kjo është muzikë për veshin, ne kemi problem themelor financimin e jetës publike, e jetës politike. Dhe këtu na fillon e gjithë gjëja. Ne mund të bëjmë sistemin më të mirë, më përfaqësues, por na duhet të garantojmë njëherë e përgjithmonë rregullat e lojës, duhet të ndajmë mendjen nëse duam t’i bëjmë këto punë apo jo”, theksoi ish-ministri.
Bushati, i cili aktualisht është lektor në Harvard University, theksoi se përmirësimi i standardeve zgjedhore dhe ndarja e administratës publike nga aktiviteti partiak janë elemente thelbësore për funksionimin e demokracisë në vend.
Sipas tij, pa adresuar këto probleme themelore, Shqipëria do ta ketë të vështirë të përmbushë standardet e kërkuara për procesin e integrimit europian dhe negociatat me Bashkimin Europian, ndërsa qytetarët shqiptarë do të vazhdojnë të përballen me pasojat e një sistemi që nuk garanton rregulla të barabarta për të gjithë.








