Qeveritë e Spanjës dhe Portugalisë kanë shpallur gjendje emergjente pas një ndërprerjeje të papritur dhe masive të energjisë elektrike, që ka lënë në errësirë pjesë të mëdha të gadishullit Iberik.
Operatorët e rrjetit janë duke punuar për rikthimin e furnizimit me energji, me pritshmëri që situata të stabilizohet deri në mbrëmje.
Në Spanjë, Ministri i Brendshëm Fernando Grande-Marlaska shpalli gjendje emergjence në disa rajone kryesore, përfshirë Madridin, Murcian, Andalusinë, La Riojën dhe Extremadurën. Ndërkohë, pas një mbledhjeje urgjente të kabinetit, edhe Portugalia vendosi të shpallë gjendje krize energjetike.
Kryeministri portugez, Luis Montenegro, deklaroi se ndërprerja masive ka të ngjarë të ketë origjinën jashtë territorit portugez, ndoshta në Spanjë.
Ai bëri thirrje për reduktimin e menjëhershëm të konsumit të energjisë nga qytetarët, ndërsa njoftoi krijimin e një zyre emergjente për menaxhimin e krizës.
Nga ana tjetër, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e cilësoi situatën si të pashembullt për vendin. “Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në gadishullin Iberik. Vetëm 15 gigavat humbje energjie përfaqësojnë rreth 60% të kërkesës kombëtare në atë moment,” tha ai.
Pavarësisht përpjekjeve për rikthimin e shpejtë të energjisë, autoritetet spanjolle paralajmëruan se ende nuk mund të japin një afat të saktë për normalizimin e plotë.
Dyshohet se ndërprerja mund të jetë shkaktuar nga një fenomen atmosferik i pazakontë, i lidhur me luhatjet ekstreme të temperaturave në rajon, të cilat ndikuan negativisht në linjat e interkonjeksionit europian.
Ndërkohë, shumica e shërbimeve të transportit në Spanjë pritet të rikthehen në funksionim vetëm gjatë ditës së sotme.