Kryeministri Edi Rama zyrtarizoi të hënën një nismë ligjore që synon të forcojë imunitetin e kabinetit të tij qeveritar dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë, pas pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga Gjykata e Posaçme. Sipas raportimit të BIRN, ndryshimet parashikojnë ndërhyrje në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, duke i hequr gjykatave të drejtën për të vendosur masa pezullimi ndaj kryeministrit, ministrave dhe një sërë funksionarësh të tjerë të lartë.
Në një mbledhje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, të drejtuar nga Rama, socialistët bënë me dije se do të ndryshojnë nenin që aktualisht ndalon pezullimin vetëm për “personat e zgjedhur sipas ligjit elektoral”. Sipas draftit të propozuar, këtij përcaktimi do t’i shtohen Presidenti i Republikës, Kryeministri, zëvendëskryeministri, anëtarët e kabinetit qeverisës, Avokati i Popullit, kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Ekspertë të cituar nga BIRN argumentojnë se ndryshimet bien në kundërshtim me retorikën për luftën kundër korrupsionit dhe krijojnë një mbrojtje shtesë për anëtarët e qeverisë. Nisma vjen pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi për mungesë kuorumi pretendimet e Ramës se pezullimi i Ballukut përbënte shkelje të Kushtetutës.
Gjatë mbledhjes, Rama deklaroi se propozimi nuk kishte lidhje me rastin konkret. “Kush e lidh me rastin konkret bën gabim, rasti konkret ka rrugën e vet, nuk ka lidhje me pezullimin. Por pezullimi është i papranueshëm, dhe për këtë arsye ne do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në kuvend ndërhyrje në territorin kushtues të pushtetit ekzekutiv”, theksoi Rama.
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi propozimin si një hap që dëmton procesin e integrimit europian. “Rama i mbylli dyert integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian,” tha Berisha për gazetarët. “Në sytë e botës, Edi Rama u thotë shqiptarëve se personalisht ai dhe organizata e tij kriminale dhe ministrat, qëndrojnë mbi ligjin, qëndrojnë mbi çdo gjë tjetër në këtë vend dhe nuk mund të hetohen”, shtoi ai.
Ish ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili prezantoi ndryshimin, sqaroi se bëhet fjalë për një ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale. Në tekstin e propozuar thuhet: “Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, zv.kryeministri, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”.
Pas zgjedhjeve të fundit, ku socialistët siguruan një shumicë dërrmuese në Kuvend, analistë dhe ekspertë kishin paralajmëruar për mundësinë e ndërhyrjeve që prekin balancën mes pushteteve. Kryeministri Rama ka qenë prej kohësh kritik ndaj gjykatave, prokurorisë dhe magjistratëve të posaçëm, duke e vendosur sistemin e drejtësisë në qendër të debatit politik.








