Edhe nga qelia, Lali Eri vazhdon lojën e mashtrimit. Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës u kap dje në flagrancë duke falsifikuar prova dhe manipuluar opinionin publik me një “procesverbal” të shpikur nga seanca gjyqësore e 12 shkurtit. Veliaj u përpoq të portretizojë veten si viktimë e një prokurori që gjoja e quajti “ndyrësirë” – një akuzë që u shemb brenda orësh.
GJKKO dhe SPAK reaguan menjëherë duke publikuar transkriptin e vërtetë, ku fjalës “ndyrësirë” i mungonte një gjë e vetme – ekzistenca. “Nga verifikimi i bërë në sistemin audio të seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala ‘ndyrësirë’ nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”, konfirmoi Gjykata e Posaçme.
Çfarë ndodhi vërtet në atë seancë? Sipas transkriptit zyrtar, Veliaj ekspozoi publikisht adresën e banimit të prokurorit Dado – një veprim që vetë prokurori e perceptoi si kërcënim. “S’ke turp që thua banesën e prokurorit, ça është kjo, kërcënim është ky që tregon banesën e prokurorit?”, shihet qartë në transkriptin zyrtar. Asnjë fjalë për “ndyrësirë”, vetëm reagim ndaj asaj që mund të konsiderohet tentativë intimidimi.
I gjithë ky teatër i Veliajt vjen pikërisht si pasojë e faktit që SPAK po merret më tepër me shpenzimet e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila rezulton të ketë shpenzuar rreth 800,000 euro vetëm për blerje online veshjesh dhe bizhuterish, sesa të merret edhe me mijëra afera korruptive e shkelje të tjera të kryebashkiakut.
SPAK po mban një lente zmadhuese vetëm mbi një çështje, ndërkohë që nuk zgjeron hetimet në mijëra afera të tjera korruptive që kanë boshatisur arkën e bashkisë. Kjo qasje selektive i jep Veliajt hapësirën perfekte për të devijuar vëmendjen dhe për të luajtur rolin e viktimës.
Deri tani, SPAK ka ngritur vetëm katër akuza kundër kryebashkiakut, ndërkohë që shkeljet e tij janë të pafundme. Thuajse dhjetë vite në krye të bashkisë më të madhe në vend, me qindra tenderë të dyshimtë dhe projekte korruptive, Veliaj po përgjigjet për një pjesë mikroskopike të aferave të tij.
Lista e ligjeve që ka thyer “Koloneli i hajdutëve” është e pafund: shpërdorim detyre me tenderin e pallatit 116 (dënim deri në 7 vjet); shkelje të barazisë në tendera duke mbajtur procedurën “në gjumë” për dy vjet (dënim deri në 5 vjet); falsifikim dokumentesh me njoftimet pa firmë e vulë (dënim deri në 5 vjet); pengim të subjekteve për informim duke u mohuar banorëve të drejtën e informimit; shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale duke përdorur regjistrin civil për qëllime personale.
Ku kanë përfunduar hetimet për skandalin e 5D-së që la mijëra banorë në mëshirë të fatit? Ku është inceneratori-fantazmë që gëlltiti miliona euro por nuk ekziston? Ku janë qindra tenderat që kanë kulluar paratë e qytetarëve në xhepat e klientëve të bashkisë?
Drejtësia selektive është njësoj e dëmshme sa korrupsioni. Kur SPAK fokusohet vetëm në një aspekt të korrupsionit, i jep hapësirë të akuzuarit të krijojë narrativa anësore dhe të pozicionohet si viktimë. Është pikërisht kjo strategji që po ndihmon Veliajn të devijojë vëmendjen nga çështjet thelbësore.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar gjithashtu, duke denoncuar fushatën e sulmeve ndaj prokurorit Olsi Dado. Por realiteti është se SPAK-u po e dëmton vetë reputacionin e tij duke mos hetuar të gjithë aktivitetin korruptiv të Veliajt.
Ndërkohë, pavarësisht akuzave të rënda dhe provave që po grumbullohen, Veliaj vazhdon të mbajë postin e kryebashkiakut të Tiranës – sikur të ishte mbi ligjin. Nga qelia drejton bashkinë, manipulon prova dhe sfidon hapur sistemin e drejtësisë.
Mbetet për t’u parë nëse SPAK-u do të zgjerojë së shpejti hetimet edhe në aspektet e tjera të veprimtarisë së dyshimtë të kryebashkiakut të burgosur, apo do të mjaftohet me katër akuzat e deritanishme.
/gazetareforma.com