Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj projektligjit për barazinë gjinore, duke e cilësuar si një nismë që rrezikon të “shkatërrojë familjen shqiptare dhe vlerat tradicionale”.
Në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, Berisha u shpreh se ligji “është i bazuar plotësisht në ideologjinë e ekstremit të majtë” dhe se “përmbys Kushtetutën, kodet ligjore dhe trashëgiminë mijëra vjeçare të shqiptarëve”.
“Kjo shkon në shkatërrimin e familjes si themel i shoqërisë. Ky ligj, i bazuar fund e krye në ideologjinë e ekstremit të majtë, përmbys Kushtetutën, kodet e vendit dhe penalizon ata që mbrojnë familjen dhe vlerat e saj. Në emër të përafrimit me direktivat europiane, që është një mashtrim i madh, ligji çon drejt totalitarizmit. Është identik me atë që shpalli Shqipërinë shtet ateist”, tha Berisha.
Ai paralajmëroi se Partia Demokratike do të nisë protesta kundër projektligjit dhe kundër kryeministrit Edi Rama, të cilin e quajti “kryeautor të kësaj nisme”.
“Ne shumë shpejt do të nisim betejën para Kryeministrisë kundër këtij personi që ka marrë përsipër të transfigurojë familjen shqiptare sipas koncepteve të veta. Beteja jonë është me një person dhe vetëm me një person: Edi Ramën. Me kukullat e tij nuk do të merremi më”, shtoi Berisha.
Gjatë fjalës së tij, ai i drejtoi edhe një mesazh ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili ka shprehur mbështetje për projektligjin.
“Tani ambasadorit i them kaq: ne respektojmë orientimin seksual të kujtdo, por përpjekjet për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore janë të papranueshme. Edhe në statusin tënd ti je binar. Ne nuk merremi me jetën e tij personale, por ky ligj nuk ka asgjë të përbashkët me traditën tonë”, deklaroi Berisha.
Ndërkohë, përpara Kuvendit u zhvillua një protestë e organizuar nga aktivistë dhe përfaqësues fetarë që kundërshtojnë ligjin për barazinë gjinore.
Në pankartat e tyre shkruhej “Ka vetëm dy gjini, mashkull dhe femër”. Koalicioni “Pro Familjes dhe Jetës” deklaroi se projektligji bie ndesh me traditën shqiptare dhe synon të ndryshojë nocionet e burrit dhe gruas.
Sipas tyre, edhe pse në nenin 4 janë përfshirë përkufizime që përcaktojnë gjininë si “burrë–grua”, këto ndryshime nuk reflektohen në nenet e tjera, ndërsa termi “gjinia gjithëpërfshirëse” vijon të përdoret në disa nene, përfshirë nenin 10, gjë që sipas protestuesve bie në kundërshtim me frymën e ligjit.








