Skip to content
Të Gjitha

Balla i akuzon për paaftësi, Nikolla: Nuk bëj pjesë tek ata ministra, kam punuar me mish e me shpirt

· 2 min lexim

E shkarkuar tashmë nga posti i ministres, Lindita Nikolla është vendosur para gazetarit Adi Krasta për të dhënë përgjigje për disa nga deklaratat që kanë bërë bujë sidomos pas shkarkimit të ministrave.

Gjatë intervistës, Krasta i ka përmendur Nikollës një deklaratë të kreut të Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ka thënë se shkarkimi  i një pjese të ministrave erdhi për shkak të punës jo të mirë.

Nikolla e ka mohuar kategorikisht se këto akuza i drejtoheshin asaj, ajo ka thënë se në gjykimin e saj ajo ka punuar me mish e me shpirt për të realizuar objektivat e ndërmarrë.

Krasta: Zoti Taulant Balla ka thënë se një pjesë e ministrave e dinin që nuk po bënim një punë të mirë…

Nikolla: Jo, sinqerisht, nëse unë nuk dija që nuk po bëja një punë të mirë, në gjykimin tim unë po punoja me mish e me shpirt, për të realizuar detyrat dhe objektivat që kishim ndërmarrë. Por, kjo është e parë nën këndvështrimin tim. Duhet kohë, le t’i japim kohë kohës për të parë gjithë këto vendimmarrje. E rëndësishme është që ministrat e rinj janë një energji e re, një frymëmarrje e re dhe një moment i rëndësishëm për të çuar përpara reformat që kemi ndërmarrë.