Rama nën presion nga SHBA dhe PPE: Fund korrupsionit dhe dhunës policore ndaj të rinjve që protestojnë!

Protestat e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri kanë sjellë reagime të tjera ndërkombëtare. Senatorja amerikane Elissa Slotkin dhe raportuesi i Partisë Popullore Evropiane (PPE) për Shqipërinë, Andrey Kovatchev, kanë kërkuar respektimin e së drejtës për të protestuar, luftimin e korrupsionit dhe mbajtjen përgjegjëse të institucioneve përballë kërkesave të qytetarëve.
Senatorja amerikane Elissa Slotkin i ka kërkuar qeverisë shqiptare të mbrojë protestuesit nga përdorimi i tepruar i forcës policore, të respektojë shtetin e së drejtës dhe të luftojë korrupsionin.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Slotkin bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit ka marrë telefonata nga banorë të Miçiganit, të shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Shqipëri dhe në vende të tjera evropiane.
“Gjatë ditëve të fundit, kam marrë një sërë thirrjesh të shqetësuara nga banorë të Miçiganit lidhur me dhunën në përshkallëzim në Shqipëri, mes vendeve të tjera evropiane. Populli shqiptar ka të drejtë të protestojë paqësisht dhe të kërkojë llogari nga zyrtarët e tyre të zgjedhur.
Në mënyrë të ngjashme, qeveria shqiptare ka për detyrë të respektojë sundimin e ligjit, të mbrojë protestuesit kundër përdorimit të tepruar të forcës policore, të pastrojë korrupsionin dhe t’i përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve. I bëj thirrje të dyja palëve të bëjnë çmos për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë paqësore për të ecur përpara”, shkruan Slotkin.
Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe raportuesi i PPE-së për Shqipërinë, Andrey Kovatchev, i cili ka theksuar se të rinjtë shqiptarë kërkojnë fundin e korrupsionit, llogaridhënie dhe një të ardhme evropiane.
Kovatchev u bëri thirrje institucioneve të dëgjojnë kërkesat e studentëve dhe të rinjve që protestojnë në Tiranë, duke nënvizuar se shqetësimet e tyre nuk mund të trajtohen vetëm me premtime.
“Të rinjtë e Shqipërisë kërkojnë më shumë se premtime: ata duan llogaridhënie, fundin e korrupsionit dhe një të ardhme evropiane të ndërtuar mbi demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, u shpreh Kovatchev.
Ai theksoi gjithashtu detyrimin për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve që të kundërshtojnë paqësisht qeverinë.
“Zërat e tyre duhet të dëgjohen, shqetësimet e tyre të merren seriozisht dhe e drejta e tyre për të kundërshtuar në mënyrë paqësore ata që janë në pushtet duhet të mbrohet”, theksoi Kovatchev.
Reagimet e senatores amerikane dhe raportuesit të PPE-së vijnë ndërsa protestat kundër qeverisë vijojnë në Shqipëri. Të dy përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë vënë theksin te lufta kundër korrupsionit, respektimi i lirive demokratike dhe përgjegjësia e qeverisë për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve.