OSBE dënon dhunën në protesta dhe sulmet ndaj gazetarëve: Politika të gjejë zgjidhje

Përfaqësuesi i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Europën Juglindore, Claude Haagen, ka reaguar nga Luksemburgu për situatën e tensionuar në Shqipëri, duke dënuar dhunën gjatë protestave, përdorimin e tepruar të forcës nga autoritetet dhe pengimin e gazetarëve në ushtrimin e detyrës. Ai u ka bërë thirrje qeverisë, opozitës dhe të gjithë aktorëve të përfshirë që të angazhohen në dialog për gjetjen e një zgjidhjeje.
Në deklaratën e tij, Haagen shpreh shqetësim për zhvillimet e fundit, duke theksuar se e drejta për tubime paqësore dhe liria e shprehjes janë parime themelore të demokracisë. Njëkohësisht, ai nënvizon përgjegjësinë e institucioneve ligjzbatuese për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe të pronës publike e private.
“Jam thellësisht i shqetësuar për zhvillimet e fundit që shoqërojnë protestat në Shqipëri”, shprehet Haagen.
Përfaqësuesi i OSBE-së thekson se dhuna nuk mund të zëvendësojë dialogun dhe se çdo incident duhet të trajtohet në përputhje me ligjin. Ai kërkon hetimin si të akteve të dhunës nga pjesëmarrësit në protesta, ashtu edhe të rasteve të përdorimit të tepruar të forcës nga policia, në respektim të legjislacionit shqiptar dhe standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Haagen u kërkon institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve politikë të dënojnë pa ekuivok dhunën dhe të marrin masa të menjëhershme për uljen e tensioneve.
Një vëmendje të veçantë në deklaratën e tij zë edhe siguria e gazetarëve që raportojnë nga protestat. Përfaqësuesi i OSBE-së thekson se punonjësit e medias duhet të ushtrojnë profesionin e tyre pa kërcënime, presione, ngacmime apo pengesa të pajustifikuara.
“Një media e lirë dhe e pavarur është thelbësore për transparencën, llogaridhënien dhe debatin publik të informuar, veçanërisht gjatë periudhave të tensioneve politike”, thekson ai.
Sipas Haagen, autoritetet kanë detyrimin të garantojnë sigurinë dhe lirinë e gazetarëve gjatë raportimit, duke respektuar njëkohësisht të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht.
Në përfundim, përfaqësuesi i OSBE-së u drejtohet qeverisë, opozitës, organizatave të shoqërisë civile, studentëve dhe qytetarëve, duke kërkuar angazhim në një dialog konstruktiv për zgjidhjen e situatës në interes të të gjithë shqiptarëve.
Haagen thekson se sundimi i ligjit, respektimi i lirive themelore dhe dialogu duhet të mbizotërojnë mbi përplasjet dhe përshkallëzimin e tensioneve.