Flodian Plaku, i njohur me disa identitete të tjera si Mamo, Serjani dhe me nofkën “Pole Qorri”, u arrestua nga Forcat Operacionale të Vlorës pas një periudhe të gjatë në kërkim. Ai akuzohet si një nga tre atentatorët e vrasjes së ish-policit Gentjan Bejtja, i ekzekutuar më 15 mars 2024 në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, pranë banesës së tij dhe në prani të familjes.
Në momentin e ndalimit, Plaku ishte i armatosur dhe u gjet me dy armë zjarri të gatshme për përdorim, 17 fishekë, 25 mijë euro cash dhe 7 celularë. Gjatë ndërhyrjes në hotelin ku ai fshihej, u arrestua edhe Julian Aliaj (Pashaj), i shpallur në kërkim për vrasjen e Renato Hoxhës dhe i konsideruar bashkëpunëtor i Plakut.
Flodian Plaku rezulton i skeduar prej vitesh nga policia shqiptare dhe ajo italiane. Në vitin 2019, ai u arrestua në Itali për trafik ndërkombëtar droge, ku drejtonte një grup kriminal që transportonte kanabis me gomone nga Shqipëria drejt Brindizit. Droga shpërndahej më pas në qytete të mëdha italiane si Roma, Napoli, Milano dhe Firence.
Pas vrasjes së Gentjan Bejtjas, policia arrestoi dy bashkëpunëtorë të tjerë: Ilir Beqaraj (i njohur si Ilir Brahimi dhe Ilir Mançellari) dhe Edison Haxhiu, të dyshuar për pjesëmarrje në atentat, përfshirë dogjien e mjetit të krimit dhe largimin me një “Volkswagen Golf 7”.
Hetimet zbuluan se autorët përdorën një “Land Rover Discover” të zi për të shkuar dhe larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa mjeti u dogj në fshatin Hasan pranë Fushë-Krujës. Gjithashtu u konstatua se Plaku kishte hyrë në Serbi dhe ishte kthyer në Shqipëri pas vetëm 11 orësh qëndrimi jashtë, përmes aeroportit të Rinasit.
Analizat e gjurmëve të gishtave dhe pamjet nga kamerat e sigurisë ndihmuan në identifikimin e automjetit tjetër, një “Golf 7” me targa AB960GG në pronësi të Edison Haxhiut, ku u gjetën 12 gjurmë gishti që lidhin të dyshuarit me atentatin.
Armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimit balistik për të përcaktuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale, përfshirë vrasjen e Bejtjas. Burime pranë hetuesisë njoftojnë se ekzistojnë dyshime se Plaku mund të ketë marrë porosi edhe për vrasje të tjera, të cilat do të hetohen në vazhdim.
Gjykata e Tiranës ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes për vrasjen e Gentjan Bejtjas, ndërsa me arrestimin e Flodian Plakut hetimet pritet të zgjerojnë në drejtim të zbardhjes së motiveve, të cilat dyshohet të jenë të lidhura me hakmarrje nga grupet kriminale të Fushë-Krujës dhe Vlorës, ku përmenden emra si Ervis Martinaj, Indrit Dokle dhe Durim Bami.