Skip to content
Kronikë

Arrestohet në Greqi autori i masakrës së Lushnjës, ja si ra në ‘grackën’ e policisë

· 2 min lexim

Polica e Tiranës bën me dije se është arrestuar një shtetas shqiptar në Greqi, i cili ishte dënuar me 18 vite burg më parë.

Gazetarja e ‘Balkan Web’, Klodina Lala ka konfirmuar se i dyshuari mund të jetë Laert Haxhiu.

Haxhiu është dënuar me 18 vite burg për vrasjen e Zamir Latifit e Jurgen Hoxhës dhe u plagosjen e Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku. Ngjarja në fjalë ndodhi në Lushnjë në vitin 2017.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Operacioni policor i koduar “Eksponenti”, për kapjen e një shtetasi të shumëkërkuar ndërkombëtarisht për krime kundër personit.

Falë sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit në kohë të këtij informacioni me homologët grekë, kapet në Janinë, Greqi, dhe arrestohet me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, një shtetas i dënuar me 18 vjet burgim.

Me leje qëndrimi greke të falsifikuar, kapet dhe vihet në pranga i shumëkërkuari Laert Haxhiu.

Në vijim të punës kërkimore të kryer në bashkëpunim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë informacioneve të siguruara nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Eksponenti”.

Në kuadër të këtij operacioni, në Janinë, nga Policia greke është bërë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit shqiptar shumë të kërkuar Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë. Ky shtetas u kap me leje qëndrimi greke të falsifikuar, me emrin M. A., 32 vjeç.