Alarmi i SPAK: Paratë e krimit po pastrohen në tregun shqiptar

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ngritur alarmin për përmasat që ka marrë pastrimi i parave në tregun shqiptar. Në raportin vjetor për vitin 2025, institucioni evidenton se grupet kriminale po përdorin skema gjithnjë e më të sofistikuara për të futur në ekonomi të ardhurat e paligjshme, duke shfrytëzuar biznese, pasuri të paluajtshme dhe sisteme financiare alternative.
Sipas raportit, hetimet tregojnë se organizatat kriminale përdorin një model të integruar për pastrimin e parave, i lidhur drejtpërdrejt me aktivitetet kryesore që gjenerojnë fitime kriminale. Burimet kryesore të këtyre të ardhurave janë trafiku i narkotikëve, trafiku i armëve, emigrimi i paligjshëm, trafiku i qenieve njerëzore dhe skemat mashtruese financiare.
SPAK thekson se tregu shqiptar është shndërruar në një terren të favorshëm për riciklimin e këtyre fondeve. Skemat e përdorura karakterizohen nga diversifikimi i kanaleve të transferimit dhe maskimit të parave. Për këtë qëllim përdoren sisteme informale të transferimit të parave si “Hawala”, kriptovaluta, qarkullimi intensiv i parave në dorë dhe fragmentimi i transaksioneve për të shmangur raportimin financiar.
Në disa raste është konstatuar edhe përdorimi i rrjeteve ndërkombëtare që operojnë në disa shtete njëkohësisht. Në këto struktura, funksionet ndahen mes grupeve të ndryshme: njëra pjesë merret me gjenerimin e të ardhurave kriminale, një tjetër me transferimin e fondeve dhe një tjetër me riintegrimin e tyre në ekonomi. Koordinimi i veprimeve shpesh realizohet përmes platformave të enkriptuara të komunikimit dhe përmes ndërmjetësve financiarë të specializuar.
Një nga praktikat më të përhapura që evidenton raporti është përdorimi i bizneseve formalisht të ligjshme për të fshehur qarkullimin e parave kriminale. Në këto skema janë përfshirë zyra këmbimi valutor, kompani transferimi parash, agjenci udhëtimi, kompani ndërtimi dhe subjekte të tjera tregtare, si dhe struktura financiare jobankare.
Këto biznese përdoren për depozitimin dhe shpërndarjen e shumave të mëdha të parave, por edhe për krijimin e dokumentacionit fiktiv që justifikon origjinën e fondeve. Sipas rasteve të analizuara nga SPAK, personat që realizojnë transferimin dhe transportin e parave zakonisht përfitojnë nga 3 deri në 10 për qind të shumës së transferuar.
Në shumë raste, rreth 5 deri në 6 për qind e shumës i takon koordinatorëve në vendin e origjinës dhe në vendin e destinacionit, ndërsa transportuesit fizikë paguhen me përqindje më të ulëta, nga 1 deri në 5 për qind, ose me pagesë fikse për çdo dërgesë.
Faza përfundimtare e procesit lidhet me integrimin e parave kriminale në ekonominë formale. Hetimet tregojnë se kjo realizohet kryesisht përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, bizneseve me qarkullim të lartë cash dhe aktiviteteve tregtare me kontroll të dobët financiar.
Sipas SPAK, qëllimi i kësaj faze është që fondet me origjinë kriminale të paraqiten si të ardhura të ligjshme, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë identifikimin dhe gjurmimin e tyre nga autoritetet. Raporti nënvizon se skemat e pastrimit të parave në Shqipëri po kalojnë nga forma sporadike drejt aktiviteteve të qëndrueshme dhe të organizuara, të mbështetura nga struktura të sofistikuara dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Read next
Përplasi për vdekje 7-vjeçarin, nga burgu kaloi në shtëpi/ Petri Bozo kërkoi sërish zbutje mase për të shkuar në “Miss Globe” në Tajlandë
Vetëm pak javë pasi Gazeta Reforma ngriti pikëpyetje mbi zbutjen e masës së sigurisë ndaj Petri Bozos, producenti…
Denoncimet e Ahmetajt për trafik armësh, SPAK kontrolle te Ron Yeffet dhe Ministria e Mbrojtjes
Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontrolle në banesën e biznesmenit izraelito-amerikan…
Skandali i videove intime me artistet, Adi Hila pranon se vendosi kamerat: “Ishin për siguri, nuk kisha qëllim të filmoja”
Kompozitori Adi Hila po merret në pyetje prej disa orësh në Policinë e Tiranës, pas skandalit të videove…
124 ditë protestë, qytetarët pas bllokadës/ Rama e Ursula flasin për Europën, por heshtin për revoltën jashtë Kryeministrisë
Në një Shqipëri që kërkon të hyjë në Bashkimin Europian, dje u prodhua një nga paradokset më të…