Skip to content
Politikë

“Akuzat më dëmtuan karrierën”- Nis gjyqi mes Bardhit dhe Edmond Sulës në GJKKO

· 1 min lexim

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u zhvillua seanca për padinë e ngritur nga ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sula, kundër deputetit demokrat Gazmend Bardhi për akuzat e “shpifjes” dhe “fyerjes” që ai ka bërë publikisht.

Në seancën e parë, Sula ishte i pranishëm, ndërsa Bardhi u përfaqësua nga avokatët e tij.

Mbrojtja e Sulës theksoi se deklaratat e Bardhit, të cilat i referoheshin një periudhe kohore 2019-2020, ishin të pavërteta dhe kanë dëmtuar rëndë imazhin dhe karrierën e Sulës. Ata argumentuan gjithashtu se pas publikimit të akuzave, edhe familjarët e Sulës janë përballur me sulme në rrjetet sociale.

Sula ka theksuar se çështja që përmendi Bardhi është në trajtim dhe se së shpejti do të dalë në pah e vërteta, duke bërë të qartë se emërimi i tij ka qenë i ligjshëm dhe i mbështetur nga drejtori i përgjithshëm i Policisë.

Avokatët e Sulës kërkuan që Bardhi të dënohet për shpifje dhe për dëmet që ka shkaktuar.