Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Moravë të Beratit, ku ka humbur jetën një 29-vjeçar. Ngjarja është regjistruar rreth orës 04:30, kur një automjet ka dalë nga rruga pas humbjes së kontrollit.
Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë drejtuesi i mjetit, i identifikuar me inicialet O.C., 29 vjeç. Në automjet ndodhej edhe një pasagjere, e cila fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime të rënda dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.