Shembja e segmentit rrugor Elbasan-Qafë Thanë më 21 shkurt, që la të izoluar mijëra qytetarë nga Prrenjasi deri në juglindje të vendit, po zbardh një problem shumë më të thellë se një rrëshqitje e thjeshtë toke. Dokumentet dhe të dhënat e publikuara nga emisioni “Në Shënjestër” tregojnë se rreziku ishte i paralajmëruar, ndërsa punimet për ndërtimin e rrugës dyshohet se kanë nisur pa leje ndërtimi, duke ngritur dyshime serioze për shkelje dhe përgjegjësi institucionale.
Në qendër të kësaj çështjeje është kompania “ANK” shpk, në pronësi të Agim Kolës, e cila po kryente punimet për Lotin 7 në momentin kur ndodhi rrëshqitja. Sipas ekspertëve dhe dokumenteve teknike, ndërhyrjet në terren mund të kenë ndikuar drejtpërdrejt në destabilizimin e zonës.
Raporti gjeologjik i përgatitur nga kompanitë “Infrakonsult” dhe “HMK Consulting”, i firmosur nga inxhinierët Ramazan Myrto dhe Aranit Kacdedja, kishte paralajmëruar qartë rrezikun. Në dokument theksohet se zona karakterizohet nga përbërje argjilore, reshje të shumta dhe erozion i theksuar, por paralajmërimi më i fortë lidhet me ndërhyrjet njerëzore.
“Gjithashtu mund të takohen rrëshqitje antropogjene nga ndërtimi i veprave inxhinierike”, thuhet në raport, duke nënkuptuar se vetë punimet mund të kthehen në shkak për rrëshqitje.
Megjithatë, pavarësisht këtij paralajmërimi, punimet kanë vijuar. Në të njëjtën zonë ku u shemb rruga, po ndërtohej segmenti i ri nga kompania “ANK”. Kjo kompani ka qenë më parë në qendër të kritikave edhe për shembjen e rrugës Korçë-Ersekë në shkurt 2024, vetëm pak muaj përpara se të fitonte tenderin prej 27.5 milionë eurosh për Lotin 7 të aksit Elbasan-Qafë Thanë.
Ndërkohë, autoritetet shtetërore, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, kanë fajësuar gjeologjinë dhe reshjet për rrëshqitjen, duke përjashtuar ndikimin e punimeve. Por ky qëndrim bie në kundërshtim me raportin teknik dhe me deklaratat e ekspertëve, të cilët theksojnë se problemi lidhet me projektimin dhe zbatimin.
Një tjetër element që rëndon situatën është mënyra si janë ndjekur procedurat ligjore. Sipas të dhënave, punimet për disa lote të rrugës kanë nisur pa u miratuar lejet e ndërtimit.
Për Lotin 1, kontrata për ndërtim është firmosur më 5 dhjetor 2022, ndërsa leja është miratuar vetëm më 8 mars 2023. Madje, përpara kësaj lejeje, janë kryer edhe pagesa nga shteti, ku vetëm për këtë lot janë dhënë rreth 25 milionë euro për kompaninë “Alb-Building”.
Edhe për lote të tjera situata paraqitet e njëjtë. Për Lotet 3 dhe 4, lejet janë miratuar në shtator 2024, rreth 10 muaj pasi janë firmosur kontratat. Ndërsa për Lotet 5, 6, 7 dhe 8, lejet janë miratuar vetëm në qershor 2025, ndërkohë që punimet kishin nisur që në korrik 2024.
Kjo do të thotë se praktikisht, një pjesë e konsiderueshme e punimeve në aksin Elbasan-Qafë Thanë është kryer pa leje ndërtimi ose pa transparencë mbi këto leje, pasi ato nuk rezultojnë të publikuara.
Shembja ndodhi në zonën “Arrat e Gurrës”, ku një segment prej rreth 150 metrash u zhvendos dhe u shkatërrua, duke ndërprerë një nga arteriet kryesore të juglindjes. Brenda pak orësh, qarkullimi u paralizua, ndërsa qytetarët u detyruan të kërkonin alternativa të vështira dhe të rrezikshme.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bllokoi aksin dhe orientoi trafikun drejt rrugës Maliq-Gramsh, një segment i papërshtatshëm për përballimin e fluksit. Në mungesë zgjidhjeje, shumë drejtues mjetesh u detyruan të përdorin segmente të vjetra dhe të amortizuara.
Ndërkohë, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet dhe ka sekuestruar dokumentacionin për projektimin dhe ndërtimin e rrugës, por ende nuk ka një përfundim përfundimtar mbi shkaqet dhe përgjegjësit.
Ngjarja ka nxjerrë në pah një problem të madh: një rrugë strategjike, pjesë e një korridori europian, dyshohet se është ndërtuar me shkelje procedurash, pa leje dhe në kundërshtim me paralajmërimet teknike, duke sjellë pasoja të rënda për qytetarët dhe ekonominë.








