Vrasja e Arlinda Zekajt, një muaj paraburgim për ish-bashkëshortin! Gjashtë raste penale ndaj tij, katër vetëm këtë vit

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar një muaj paraburgim për Jeton Sylajn, ish-bashkëshortin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Vendimi vjen pas kërkesës së Prokurorisë, ndërsa të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se ndaj Sylajt janë regjistruar gjashtë raste penale, katër prej tyre vetëm gjatë vitit 2026.
Jeton Sylaj dyshohet për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, pasi dyshohet se ka shkelur urdhrin gjyqësor të mbrojtjes që ishte lëshuar për ish-bashkëshorten e tij.
Sipas vendimit, masa e paraburgimit llogaritet nga data 25 tetor, ora 20:00, deri më 24 nëntor 2026, në të njëjtën orë.
Ndaj Sylajt ka pasur gjithashtu dyshime për ushtrim dhune dhe kanosje ndaj Arlindës përpara vrasjes së saj.
Gjashtë raste penale të regjistruara, ndërsa Arlinda kërkonte mbrojtje
Nga verifikimet në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës rezulton se ish-bashkëshorti kishte gjashtë raste penale të regjistruara, katër prej të cilave gjatë këtij viti. Regjistrimi i rasteve nuk nënkupton automatikisht se ai është shpallur fajtor për to.
Arlinda Zekaj u vra vetëm tre ditë pasi kishte paralajmëruar Prokurorinë se jeta e saj ishte në rrezik. Ajo kishte kërkuar ndërhyrje urgjente dhe kishte denoncuar neglizhencën e pretenduar të institucioneve.
Mbrëmjen e 25 tetorit, policia e shoqëroi në banesën e saj, ku pak minuta më vonë u gjet e vrarë. Për krimin dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj.
Ndërsa hetimet për vrasjen vijojnë, vendimi për paraburgimin e ish-bashkëshortit dhe historiku i rasteve të regjistruara ndaj tij shtojnë pyetjet mbi mënyrën se si institucionet kishin vlerësuar rrezikun për sigurinë e Arlindës.
Ajo kishte kërkuar mbrojtje përpara se të humbiste jetën. Tani mbetet të zbardhet nëse autoritetet kishin marrë të gjitha masat që u kërkonte ligji për ta mbrojtur.