“Bleona Mata është gjallë”/ Gjyshi rrëfen ditën e zhdukjes dhe dyshimet për familjen nga Vlora

Gjashtëmbëdhjetë vite pas zhdukjes së Bleona Matës, gjyshi i saj, Zenel Mata, thotë se vazhdon të besojë se mbesa është gjallë, ndërsa rikthen në vëmendje disa prej detajeve dhe dyshimeve që, sipas tij, kanë shoqëruar familjen që prej 22 majit, ditës kur vajza u zhduk pa lënë gjurmë.
Në një intervistë për emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, Zenel Mata rrëfen se atë ditë ndodhej duke kositur pranë shtëpisë dhe e kishte parë Bleonën duke luajtur në mes të fshatit.
“E shikoja vajzën duke luajtur këtu te mesi i fshatit… Edhe merr në telefon goca, thotë: ‘A ka ardhur Bleona në shtëpi?’ Edhe bëmë kontrollin nëpër fshat, i gjithë fshati u mobilizua, i gjithë, gati komuna, dolëm për ta kërkuar në mal”, tregon ai.
Sipas gjyshit, kërkimet vazhduan për rreth dy javë, por pa asnjë rezultat.
Një nga detajet që ai risjell lidhet me një automjet me targa të Vlorës, që sipas dëshmive të punëtorëve të zonës ishte parë duke lëvizur me shpejtësi në drejtim të Kukësit.
“Me sa më njoftuan paksa, ka kaluar një makinë e Vlorës me shpejtësi drejt për në Kukës. Kishin parë dy gra, ishin në makinë, po ishin të mbuluara, thotë, ‘me shami’”, deklaron Zenel Mata.
Ai shton se bashkëshortja e tij kishte parë gjithashtu një person që largohej drejt malit.
“Gruaja ka qenë edhe ajo në shtëpi. Ka parë një djalë, thotë, iku, thotë, pas vajzave si për mal, me flokë të gjata, i maskuar”, shprehet ai.
Zenel Mata mohon se familja kishte pasur konflikte apo hasmëri me fqinjët, duke kundërshtuar deklaratat e mëparshme që kanë ngritur dyshime mbi marrëdhëniet brenda familjes.
“Jo, mo jo, nuk kena pasur konflikt! Përkundrazi, dasmë me marrë e me dhënë bashkë kena pasur gjithmonë”, thotë ai.
Gjyshi i Bleonës shprehet i bindur se vajza është rrëmbyer dhe thotë se dyshimet e tij vazhdojnë të lidhen me një familje nga Vlora.
“Gjallë do jetë, gjallë, duhet të jetë doemos. Dëgjon? Dyshoj gjithmonë, gjithmonë te kjo familja e Vlorës”, deklaron Zenel Mata.
Ai përmend gjithashtu një grua të kësaj familjeje, për të cilën thotë se nuk kishte fëmijë dhe ishte larguar në Gjermani, duke hedhur dyshimin se ajo mund të kishte marrë Bleonën. Megjithatë, këto mbeten pretendime të gjyshit dhe në intervistë nuk paraqitet ndonjë provë që i vërteton ato.
Zenel Mata flet edhe për prishjen e marrëdhënieve familjare pas zhdukjes së Bleonës. Ai tregon se prej vitesh nuk komunikon me djalin e tij, Zamirin, ndërsa thotë se ka humbur kontaktet edhe me Bukurie Matën, nënën e Bleonës.
Në fund të intervistës, gjyshi i drejtohet mbesës së zhdukur me një apel emocional, duke përsëritur bindjen se ajo mund të jetë ende gjallë.
“Në qoftë se më dëgjon… me rrezik që s’më dëgjon, po po më dëgjoi, të njoftojë të paktën njërin nga familja… nga Bukurija ose nga këta, që ‘jam gjallë e jam këtu’”.