39 ditë protesta, Rama me charter luksoz dhe 4 milionë euro për Kanye West: një qeveri e shkëputur nga realiteti

Teksa Shqipëria ka hyrë në ditën e 39-të të protestave kundër korrupsionit dhe qeverisë, Edi Rama është fotografuar duke mbërritur në Ankara me një charter privat të kompanisë VistaJet, një nga operatorët më luksozë të aviacionit privat në botë.
Një shkëputje e mprehtë e tij me realitetin shqiptar, teksa tashmë i ka orët e numëruara në pushtet.
Nga njëra anë, mijëra qytetarë protestojnë prej më shumë se një muaji duke denoncuar korrupsionin, mënyrën si përdoren paratë publike dhe aferat që kanë dëmtuar interesin publik. Nga ana tjetër, kryeministri udhëton me një nga kompanitë më ekskluzive të fluturimeve private në botë, ku një udhëtim në itinerarin Tiranë-Ankara mund të kushtojë dhjetëra mijëra dollarë, në varësi të tipit të avionit dhe shërbimeve të zgjedhura.
Nuk është hera e parë që udhëtimet e Ramës ngjallin debat. Për vite me radhë ai përdori avionët e Air Albania për vizitat zyrtare, në bazë të një marrëveshjeje që nuk u bë kurrë plotësisht transparente për publikun. Pas kolapsit të kompanisë, charterët privatë janë bërë mënyra e zakonshme e udhëtimeve të tij ndërkombëtare.
Por charteri është vetëm një pjesë e debatit.
Së fundmi, vetë Rama pranoi se qeveria shqiptare do të financojë me 4 milionë euro koncertin e Kanye West, më 11 korrik. Deklarata erdhi pasi më herët ishte deklaruar se eventi do të mbulohej nga sponsorë dhe kompani private, pa asnjë kosto për buxhetin e shtetit.
Ky ndryshim ka shtuar edhe më shumë zemërimin publik.
Në një vend ku mijëra qytetarë ndihen të detyruar të dalin çdo ditë në protestë, vendimi për të përdorur miliona euro të taksapaguesve për një koncert privat shihet si simbol i prioriteteve të gabuara të qeverisë dhe tregues i një mungese të madhe të kontaktit me popullin.
Me 4 milionë euro mund të financohen dhjetëra projekte në arsim, shëndetësi, ndihmë sociale apo infrastrukturë. Shqiptarët nuk kanë dalë në rrugë sepse u mungon një koncert. Kanë dalë sepse besojnë se paratë e tyre shpërdorohen dhe se vendimet merren larg halleve të përditshme të qytetarëve.
Ndërkohë që eventi duket një dështim ende pa nisur dhe nuk ka asnjë interes të pjesëmarrjes popullore që në fokus ka protestën, në rrjete sociale po qarkullojnë mesazhet dhe përpjekjet e shumta të qeverisë për të rritur pjesëmarrjen në koncertin e West, përmes shpërndarjes së biletave falas për influencer, studentë e grupe të ndryshme.
Absurde si qeveria shqiptare është e vetmja në botë që po “shpëton” një event privat qe nuk shet bileta. Po bëhet çmos në çdo mënyrë dhe me çdo mjet, që jo koncerti i tyre, por protesta qytetare, të paraqitet si dështim. Në fakt, realiteti dëshmon të kundërtën.
Kur vendi është futur në ditën e 39-të të protestës dhe kërkon llogari, ndërsa qeveria përgjigjet me shpenzime me charterë privatë dhe miliona euro për spektakle, është tregues i një pushteti diktatorial të shkëputur nga realiteti, që investon më shumë te imazhi sesa te zgjidhja e problemeve që kanë nxjerrë qytetarët në rrugë.
Pikërisht ky kontrast është një tjetër ushqyes i revoltës dhe rezistencës popullore që prej javësh nuk po shuhet, e do t’i sjellë shpejt fundin establishmentit qeveritar.