Këtë të diel shënohen 18 vjet nga tragjedia e Gërdecit, një nga ngjarjet më të rënda që ka njohur Shqipëria në kohë paqeje. Shpërthimi i municioneve i mori jetën mbi 26 personave, plagosi qindra të tjerë dhe la pas një zonë të tërë të shkatërruar, duke kthyer Gërdecin në simbol të një plage që ende nuk është mbyllur.
Edhe pas 18 vitesh, familjarët e viktimave vijojnë të kërkojnë drejtësi. Ata thonë se beteja e tyre nuk ka qenë kurrë për hakmarrje, por për përgjegjësi dhe për garancinë që një tragjedi e tillë të mos ndodhë më. Sipas tyre, procesi gjyqësor është zvarritur për vite me radhë dhe është shoqëruar me pengesa politike që kanë vonuar dhënien e drejtësisë.
Aktualisht, çështja për përgjegjësinë e tragjedisë po shqyrtohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku i akuzuar është ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Akuza ndaj tij lidhet me lejimin e demontimit të municioneve nga një kompani private pranë zonave të banuara, në kushte që, sipas akuzës, nuk garantonin mbikëqyrjen dhe sigurinë e nevojshme.
Familjarët e viktimave theksojnë se vonesat në proces janë ndikuar edhe nga periudhat kur Mediu ka përfituar imunitet parlamentar. Ata kundërshtojnë pretendimet e tij dhe insistojnë se vendimet e marra në atë kohë kanë pasur rol të drejtpërdrejtë në zinxhirin e ngjarjeve që përfundoi në katastrofë.
Nga ana tjetër, Fatmir Mediu ka mohuar çdo përgjegjësi për shpërthimin dhe pasojat tragjike të tij. Ai e ka cilësuar procesin si të pabazuar dhe me prapavijë politike.
Por për familjarët, 18 vjet më pas, kërkesa mbetet e njëjtë: drejtësi për jetët e humbura dhe përgjegjësi për një nga tragjeditë më të mëdha të vendit.







