Rreth 1028 mjekë kanë emigruar nga vendi dhe përbëjnë 22% të stokut të mjekëve në Shqipëri prej 4745 doktorësh, evidentoi studimi i fundit i profesorëve Ilir Gëdëshi, Russell King dhe Amarildo Çeka, sipas të cilit ata që emigrojnë janë elita e studentëve të mjekësisë. Fenomeni i largimeve mori përmasa të larta në dekadën e fundit. Rreth 62% e të diplomuarve në mjekësi në 2018-2022 përgatiten të largohen. Këtë vit akademik, në fushat e studimit që lidhen me shëndetësinë, janë 22,834 studentë të cilët përbëjnë 18% të totalit të studentëve. Numri i studentëve në degët e shëndetit është më i lartë se nevojat e tregut të brendshëm, por ky trend lajmëron tendencat e emigracionit të profesionistëve në të ardhmen, duke e ekspozuar vendin tonë ndaj kostove të larta të emigrimit të kapitalit human. Si mund të frenohen largimet dhe si mund të përfitojmë nga diaspora e mjekëve jashtë vendit
Emigracioni është një fenomen i përhapur masivisht në popullsinë shqiptare, në të gjitha grupmoshat, nivelet arsimore dhe vendbanimet, por në disa profesione jetike, si mjekësia, largimet janë në nivele alarmante.
Mjekët dhe mësuesit janë themeli i shërbimeve publike në çdo shtet. Largimi masiv i mjekëve, sidomos elitave të reja, lajmëron dobësi në shërbimin shëndetësor në një popullsi që po plaket me shpejtësi dhe barra e sëmundjeve sa vjen e rritet.
Një studim i thelluar i ekspertëve Ilir Gëdeshi (Qendra e Studimeve Ekonomike dhe Sociale), Russell King (Departamenti i Gjeografisë, Universiteti i Sussex) dhe Amarildo Çeka (Shkolla e Popullsisë dhe Shëndetit Publik, British Columbia) tregoi se në vitin 2020, brenda vendit numëroheshin gjithsej 4745 doktorë, ndërsa jashtë vendit ishin 1028 të tillë.
Siç shihet, mjekët që janë të punësuar jashtë vendit janë sa 22% e atyre brenda vendit. Dega e mjekësisë në vend është më e shtrenjta për nga kostot dhe koha që duhet për shkollim. Për formimin e një mjeku specialist duhen 6 vite studime të përgjithshme dhe specializimet që zgjasin deri në katër vite.
Në vitin 2021, buxheti i Fakultetit të Mjekësisë ishte rreth 1,4 miliardë lekë, ose rreth 13 milionë euro. Shpenzimet e drejtpërdrejta nga buxheti, pa llogaritur shpenzimet e familjeve, për të shkolluar një gjeneratë të mjekësisë së përgjithshme janë rreth 80 milionë euro, por kostot janë të pallogaritshme nga mungesa e tyre në tregun shqiptare të punës. Anketat e viteve të fundit tregojnë një dëshirë të madhe për të emigruar te moshat e reja, por fenomeni është i lartë në fushat e shëndetit, me qëllim largimin.
Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se numri i studentëve në arsimin e lartë ka pësuar rënie me rreth 13% nga 2019 – 2023, por në degët ku mund të gjesh punë në emigracion ka rritje.
Numri total i studentëve u tkurr me 17,700 që nga viti 2019 me rënie 12.7%, por nga ana tjetër, më shumë të rinj zgjodhën degët në fushën “Shëndet dhe mirëqenie”.
Këtë vit akademik, në fushat e studimit që lidhen me shëndetësinë janë 22,834 studentë, të cilët përbëjnë 18% të gjithë totalit të studentëve. Numri i studentëve me drejtim degët e shëndetit është më i lartë se nevojat e tregut të brendshëm, por ky trend lajmëron tendencat e emigracionit të profesionistëve në të ardhmen.
Burimet nga Fakulteti i Infermierisë tregojnë se shumica e studentëve, që në vit të parë regjistrohen në mësimin e gjuhës gjermane, me qëllim që kur të kenë mbaruar studimet të kenë aftësitë gjuhësore për t’u punësuar në tregun gjerman.
Nga të gjitha fushat e studimit, numri i studentëve në katër vitet e fundit u rrit vetëm në degët e inxhinierisë dhe shëndetësisë, ndërsa në disa fusha ka rënie të mprehtë të studentëve.
Studimi i fundit tregon se emigrimi po tërheq elitën e studentëve të mjekësisë. “Ne ishim 25 studentë në klasën time të mjekësisë.
Nga studentët më të mirë, asnjë nuk është në Shqipëri. Unë jam në SHBA, një në Suedi, shumica janë në Gjermani. Shumë nga kolegët, dikur studentë të shkëlqyer në mjekësi, nuk punojnë më në Shqipëri. Është shumë e trishtë që elita e studentëve të mjekësisë ka emigruar” – është shprehur Gjoni, mjek në SHBA në intervistën dhënë për autorët e studimit.
Fatmir Brahimaj, presidenti i Urdhrit të Mjekut, këshillon se emigrimi i mjekëve mund të frenohet me një seri reformash që duhet të përfshijnë që nga rritja e pagave, përmirësimin e kushteve të punës si infrastruktura, teknologjia, trajnimet dhe kualifikime, pajisje më të mira me barna e pajisje mjekësore.
Z. Ibrahimaj tha se mbrojtja ligjore ndaj mjekëve duhet të rritet dhe gjithashtu mundësitë për rritjen në karrierë.
62% e të diplomuarve në mjekësi në 2018-2022 synojnë të ikin
Në mungesë të bazës së të dhënave të mjekëve që kanë emigruar nga Shqipëria, autorët kanë ballafaquar tre burime që tregojnë madhësinë e përafërt dhe dinamikën e rritjes së këtij segmenti të diasporës shqiptare.
Burimi i parë është “Certifikata e sjelljes së mirë”, e lëshuar nga Urdhri Shqiptar i Mjekut te mjekët që dëshirojnë të emigrojnë për të ushtruar dhe për të avancuar profesionin e tyre.
Themeluar në vitin 1993, menjëherë pas përfundimit të komunizmit, Urdhri është përgjegjës për regjistrimin e mjekëve dhe sigurimin e standardeve profesionale. Certifikata konfirmon se mjeku është i regjistruar, ushtron profesionin e mjekut dhe nuk i është nënshtruar masës disiplinore “sanksionet”.
Sipas të dhënave nga ky Urdhër, certifikatën e kanë marrë 809 mjekë për sjellje të mirë gjatë periudhës 2018-2022. Si tregues, kjo përfaqëson rreth 61% nga 1322 studentë të diplomuar për mjekësi të përgjithshme në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës gjatë së njëjtës periudhë. Megjithatë, jo domosdoshmërisht të gjithë të diplomuarit në mjekësi që shkojnë jashtë vendit, marrin këtë certifikatë.
Burimi i dytë janë të dhënat nga OECD, të cilat tregojnë stokun e mjekëve “të arsimuar të huaj” në vendet kryesore të OECD, sipas vendit të origjinës së këtyre mjekëve. Sipas këtij burimi, stoku i mjekëve shqiptarë që punojnë jashtë vendit në vendet e OECD ishte 1,060 në 2020.
Ky burim gjithashtu mundëson krahasime, ku shikohet se shifrat shqiptare janë të larta krahasuar me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç Maqedonisë së Veriut.
Të dhënat e studimit nuk mbulojnë të gjitha vendet ku mund të punojnë mjekët shqiptarë, vitet janë jokonsistente dhe në mënyrë thelbësore, shifrat përjashtojnë mjekët shqiptarë që kanë studiuar të diplomuar në vendet pritëse dhe ata që kanë marrë nënshtetësinë e vendit pritës.
Prandaj shifrat e OECD-së janë një nënvlerësim i shkallës reale të fenomenit, por emigracioni i mjekëve në realitet ka përmasa më të mëdha.
Shtetet e mërgatës së mjekëve
Mjekët shqiptarë jetojnë dhe punojnë në 20 shtete në të gjithë globin, theksohet në studimin e ekspertëve Gëdeshi, King dhe Çeka.
Shumica e tyre janë në vendet e përparuara të OECD-së, ku kryeson Gjermania me 53,3% të totalit, Italia (23,7%), SHBA (14,3%), Britania e Madhe (9,0%), të ndjekura në njëfarë mase nga Franca (3.3%), Kanadaja (2.7%), Zvicra dhe Greqia (të dyja 2,0%). Në vendet e tjera janë më pak se 2%.
Por ndërkohë studentët që studiojnë për mjekësi janë të përqendruar kryesisht në vendet fqinjë dhe më pas zgjedhin të emigrojnë në vende të treta për punësim.
Studimi referoi se 41% e studentëve të mjekësisë jashtë vendit ishin në universitetet e Italisë, Gjermani (17,7%), SHBA (7.0%), Francë (6.5%), Mbretëri e Bashkuar (6.0%), Turqi (4.7%), Greqi (3.7%), Holandë (2.8%).
Vende të tjera me më pak se 2% të studentëve të mjekësisë jashtë janë Zvicra, Austria, Rumania, Bullgaria, Suedia, Kanadaja, Portugalia dhe Irlanda.
Vendet që janë gjeografikisht afër Shqipërisë (veçanërisht Italia dhe Greqia), ku edhe kostot e jetesës dhe tarifat e shkollimit janë më të ulëta se në Europën e Veriut, janë zgjedhur si më të përshtatshme për të studiuar, por jo domosdoshmërisht për të ndjekur karrierën mjekësore.
Shumica e studentëve që kryejnë studimet dhe trajnimet në Itali vazhdojnë karrierën e tyre atje. Disa të anketuar nga Italia, si dhe ata të trajnuar në Greqi dhe Turqi, kanë riemigruar në SHBA, Britani dhe Zvicër, e të tjerë në ekonomitë e përparuara të Europës që ofrojnë punësim dhe perspektiva më të mira për karrierë, të ardhura më të larta dhe një mënyrë jetese më të mirë.
“Në të ardhmen, do të doja të shkoja në një vend tjetër, një vend anglishtfolës. Italia, kur krahasohet me Shqipërinë, ka shumë karakteristika pozitive.
Por, kur krahasohet me vendet e tjera të zhvilluara të Europës, ajo mbetet prapa për nga ekonomia, kërkimet dhe aspekte të tjera. Do të doja të shkoja diku ku ka komunitet më të madh ndërkombëtar, pasi do të ndihesha më komod”, thotë Shpëtimi, student në Itali.
“Tani për tani, nuk po mendoj për një vend të caktuar. Dua të bëhem kirurg, të zhvilloj teknikat e mia të kirurgjisë. Që të ndodhë kjo, njeriu duhet të lëvizë. Dua të zhvilloj aftësitë e mia në kirurgjinë e zemrës dhe kjo fushë është më e avancuar në SHBA, Gjermani dhe Japoni tha Ermira, studente në Itali.
Largimet u rritën në dekadën e fundit
Studimi vë në dukje si karakteristikë të rëndësishme të diasporës së mjekëve rritjen e shpejtë të saj, sidomos gjatë dekadës së fundit. Mbështetur në përgjigjet ndaj anketës në internet shihet qartë një evolucion i numrave që rriten çdo vit në periudhën 1990-2022.
Rritja e mprehtë ishte pas vitit 2016 dhe lidhet kryesisht me rritjen e papritur të fluksit të mjekëve drejt Gjermanisë.
Kjo rrjedhë u lehtësua nga “Rregullorja e Ballkanit Perëndimor”, e prezantuar nga qeveria gjermane në fund të vitit 2015, e krijuar për të tërhequr mjekë nga vendet e Ballkanit, njohja e diplomave të tyre dhe ofrimi i aksesit të lehtë në vendet e lira të punës dhe lejet e punës.
Z. Gëdeshi vë në dukje se trendi ka të ngjarë të vazhdojë edhe në vitet në vijim, bazuar në intervista.
Gjermania shumë tërheqëse
Të anketuarit në Gjermani përshkruajnë se si vendi është një “kombinim i përsosur” i pagave të larta dhe standardeve të jetesës, kushteve të mira të punës dhe perspektivave për përparim dhe specializim në karrierë, një sistem i fortë sigurimesh dhe arsim falas për fëmijët.
Intervista me Brunildën, e cila kishte mbaruar së fundmi për mjekësi në Shqipëri dhe sapo ishte zhvendosur në Gjermani, është e dobishme për të bërë disa krahasime midis vendeve të ndryshme të destinacionit:
“Ne ishim 22 studentë në klasën tonë të diplomimit dhe 17 prej tyre në kërkim për të emigruar, kryesisht në Gjermani, por edhe në Itali dhe Suedi. Gjermania është opsioni i parapëlqyer për shkak të procedurave më të thjeshta.
Ekzistenca në Tiranë e qendrave që ofrojnë informacion për migrimin në Gjermani sigurisht që ndihmon për të lehtësuar procesin. Ndërkohë, është pak më e vështirë të shkosh në Itali ose Suedi; ke nevojë për dikë që e njeh dhe që mund të të ndihmojë, kështu që duhet më shumë.
Italia zgjidhet si opsion sepse është afër Shqipërisë, gjë që është e rëndësishme për disa, por pagat atje nuk janë shumë të larta; gjithashtu diplomat tona nuk njihen dhe kështu duhet të jepen provime shtesë. Në të kundërt, Suedia ka nevojë për mjekë dhe pagat janë të larta, por gjuha është sfidë”.
Aspirata e mjekëve shqiptarë për të emigruar në Gjermani nuk është një fenomen i izoluar. Dy autorët e parë të këtij punimi, Gëdeshi dhe King kanë treguar se Gjermania është sot opsioni i parapëlqyer i shumë kategorive të emigrantëve shqiptarë, përfshirë studentë, akademikë, profesionistë dhe azilkërkues.
Nga ana tjetër, faktorët kryesorë që i shtyjnë mjekët të emigrojnë është zhvillimi profesional. Specializimi luan rol kyç. “Në Gjermani, kur një mjek fillon punën, automatikisht nis specializimi.
Një aspekt tjetër është teknologjia, pajisjet e përdorura, metoda të reja kërkimi, pjesëmarrje në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo e bën punën tonë shumë interesante dhe të këndshme. Nuk ka të bëjë vetëm me pagën, por edhe avancimi profesional. Puna e mjekut nuk është vetëm të fitojë bukën e gojës, ajo bëhet mision”, pohon Artani, mjek i larguar në Gjermani.
“Në çdo fazë, mjekësia ka të bëjë me studimin dhe specializimin. Ju duhet të përparoni përmes niveleve, kërkon kohë dhe investim. Por në Shqipëri ka gjithmonë zhgënjim dhe zhgënjim. Gjatë gjithë kohës, ju e shihni se sa i pafuqishëm jeni nëse nuk njihni dikë që mund t’ju ndihmojë.
Disa nga kolegët e mi ishin fëmijët e të ashtuquajturve mjekë ‘të famshëm’. Pas përfundimit të specializimit papritur u hapën disa vende të lira në Spitalin Universitar. Të gjitha ato vende të reja iu dhanë fëmijëve, nipërve ose mbesave të tyre.
Neve të tjerëve na thanë se nuk kishte vende të lira. Zhgënjim total, korrupsion masiv. Kjo është arsyeja kryesore për emigracion” – pohoi Genti, mjek i larguar në Gjermani.
Talentet zgjedhin të emigrojnë
Mjekët që zgjedhin të zhvillojnë karrierën jashtë vendit janë më të talentuarit, evidenton studimi. “Unë them më të mirët, sepse ata janë në gjendje të mësojnë gjuhën, d.m.th. gjermanisht, më shpejt, dhe bëjnë punën më mirë, thotë Dorina, një mjeke e larguar në Gjermani.
Elita e studentëve të mjekësisë ka emigruar dhe është shumë e trishtë, thotë Gjoni, mjek në SHBA, i cili ka pohuar se shumica e brezit të tij, ata më të mirët, tani janë jashtë vendit.
Më ambiciozët e mjekëve emigrojnë. “Në Shqipëri kanë mbetur ata të cilët kanë familje shumë të pasura financiarisht dhe kanë krijuar klinika private. Një tjetër segment përfshin ata që nuk ishin ambiciozë dhe nuk shkëlqyen në shkollën e mjekësisë.
Të tjerët duan të qëndrojnë në Shqipëri, për shkak të situatës familjare. Së fundi, në përqindje të vogël janë ata që merren me politikë dhe, nëpërmjet kësaj, duan të ngjitin shkallët e karrierës në sektorin e biznesit të kujdesit shëndetësor”, – shprehet Luani, mjek në Itali.
Arsyet e largimit, në të shumtën e rasteve, nuk janë ekonomike
Faktori ekonomik shtyn 50.6% të mjekëve drejt emigrimit, por të ardhurat nuk janë faktori kryesor që i bën mjekët e rinj të migrojnë. “Kur punon mjek në Shqipëri, firmat farmaceutike dhe laboratorët mjekësorë iu afrohen menjëherë dhe ofrojnë para.
Të jemi të qartë, aspekti ekonomik në Shqipëri kompensohet, pasi shumica e mjekëve marrin para si dhurata nga pacientët. Kjo është bërë praktikë normale. E kam përjetuar këtë dhe jam përpjekur ta shmang. Por nëse nuk e bëni, atëherë do të konsiderohesh si i çuditshmi”, pohoi Kastrioti, tani mjek në Gjermani.
Grupi i dytë më i rëndësishëm i faktorëve të shënuar nga të anketuarit në anketë ishte i lidhur në arsim, kryesisht studimet e tyre arsimore në fushën e mjekësisë ose vazhdimi në një degë më të specializuar dhe të avancuar.
Një pjesë e vogël (4%) nënvizon rëndësinë e arsimimit jashtë vendit për fëmijët e tyre. Familja dhe shëndeti gjithashtu marrin përqindje të vogla të arsyeve nga të anketuarit, përkatësisht 6.6% dhe 2%.
Më interesant janë faktorët e grupuar nën kategorinë “arsye të tjera” që përbëjnë 14% e totalit të faktorëve, ku me më ndikim janë shprehjet “Nuk ka të ardhme në Shqipëri”,(6.4%) dhe “Nuk më pëlqen të jetoj në Shqipëri” (2,8%).
Ekziston një përshtypje e përgjithshme në mesin e popullsisë shqiptare dhe veçanërisht në moshat e reja dhe më të arsimuara, se emigracioni është e vetmja rrugëdalje nga një jetë e vështirë, e pakënaqshme dhe frustruese në Shqipëri.
Përveç të ardhurave të ulëta dhe perspektivave të dobëta të karrierës, shumë nga mjekët e ikur jashtë iu referuan korrupsionit, ryshfetit, ku të gjitha këto konsiderohen si tipare endemike të shoqërisë shqiptare.
“Kam arritur të besoj se këtu në Shqipëri, gjërat nuk do të shkojnë mirë për mua, nëse do të qëndroja ose të kthehem, veçanërisht për dikë që është ambicioz.
Vendimin për të emigruar e mora edhe me nxitjen e familjes dhe miqve. Ka një shtysë të madhe në Shqipëri që njerëzit të largohen nga vendi dhe ju ndikoheni nga kjo”, është shprehur Luani, mjek në Itali.
Në grupin e arsyeve “kushtet e papërshtatshme të punës” në Shqipëri, disa mjekë të larguar identifikuan elemente të tilla si: mungesa e pajisjeve të përditësuara, siguria e dobët në punë, orët e gjata të punës dhe standarde të dobëta të profesionalizmit.
“Para së gjithash është pasiguria profesionale. Në Shqipëri punon në një mjedis në të cilin sado shumë të punosh, nuk e di se si do të përfundojnë gjërat.
Me pasiguri profesionale nënkuptoj pasojat e punës profesionale dhe sigurinë profesionale. Një shembull: kur një pacient vdiq, i gjithë ekipi mjekësor i përfshirë në këtë rast është arrestuar. Në një vend tjetër ky do të ishte një skandal”, – pohoi Luani, mjek në Itali.
Dy të tretat e mjekëve të integruar në vendet pritëse
Mjekët e anketuar treguan se janë produktivë dhe në kontakt të admirueshëm me kolegët e tyre vendas në institucionet shëndetësore ku ata punojnë. Dy të tretat e të anketuarve raportojnë se kanë kontakte “shumë të shpeshta” (34%) ose “të shpeshta” (31%) me profesionistë shëndetësorë vendas.
“Profesionalisht jam i integruar mirë dhe ndihem pjesë e shoqërisë këtu. Miqtë e mi janë mjekë italianë dhe kontakti pas punës me ta është thuajse i përditshëm”, – pohon Luani, mjek shqiptar në Itali.
“Kam marrëdhënie shumë të mira dhe të ngushta me kolegët e mi italianë. Ne rrimë shpesh së bashku pas orarit të punës. Më parë, kolegët italianë mendonin se erdhëm për një jetë më të mirë. Tani ata e shohin migrimin tonë si një zgjedhje. Gjithashtu, imazhi i Shqipërisë ka ndryshuar.
Italianët vizitojnë Shqipërinë dhe e shohin atë si një vend të bukur dhe me zhvillim të shpejtë”, – thotë Shpëtimi mjek shqiptar që punon në Itali.
Në vitet 1990, emigrantët shqiptarë në Itali u fyen për shkak të natyrës së tyre përafërsisht të egër dhe stigmatizimi si ‘i prirë ndaj kriminalitetit.
Në dekadën e fundit, shqiptarët e kanë ndryshuar imazhin kryesisht me përpjekjet e individualizuara për të punuar shumë dhe për t’u asimiluar në shoqërinë italiane, duke u bërë praktikisht të “padukshëm”.
Në të njëjtën kohë, mjekët shqiptarë jashtë vendit ruajnë lidhje të forta materiale dhe shpirtërore me Shqipërinë.
Sipas të dhënave të sondazhit tonë, pothuajse 95% e tyre mbajnë kontakte të rregullta me Shqipërinë, veçanërisht me familjen dhe të afërmit (96.4%) dhe miqtë (69.4%), disi më pak me kolegët që punojnë në sektorin e shëndetësisë shqiptare (38.5%). Komunikimi mbahet me telefon, email, Skype, WhatsApp etj.
“Flas me familjen time çdo ditë dhe jam i përditësuar me gjithçka që ndodh Shqipëri. Marr informacion nga familja dhe miqtë që janë ende në Shqipëri”, shprehet Lindita, mjeke e cila jeton prej 10 vitesh në Francë. Vizitat në Shqipëri nga mjekët e anketuar janë gjithashtu të shpeshta: mesatarisht 4% e vizitave një herë në vit (44%) ose më shumë se një herë në vit (40%), zakonisht gjatë pushimeve verore, ose në Vitin e Ri.
Nëpërmjet këtyre kontakteve, si dhe internetit dhe kanaleve televizive shqiptare që ata aksesojnë jashtë vendit, mjekët janë përgjithësisht të mirinformuar për çështjet politike, ekonomike dhe kulturore në Shqipëri.
Si rrjedhojë, por edhe duke u lidhur me shqiptarët e tjerë jashtë vendit në zonën e tyre, ata janë në gjendje të ruajnë një pjesë të madhe të identitetit dhe ndjenjës së tyre shqiptare që i përkasin vendit ku lindën.
Nora, një mjeke e re shqiptare në SHBA, me besim pohoi: “Ndihem shqiptare dhe do të jem gjithmonë shqiptare; edhe nëse bëhem një Qytetar amerikan, do të jem gjithmonë shqiptare.
Një artikulim më i detajuar i identitetit shqiptar është dhënë nga Afërdita, e cila sapo ka përfunduar doktoraturën në mjekësi në Holandë: “Mendja ime është e një shqiptari. Kur zgjohem në mëngjes, së pari lexoj lajmet nga Shqipëria, pastaj lajmet holandeze. Sigurisht, marr përditësime për Holandën. Kur mbërrita, isha 23 vjeç dhe u ndjeva tërësisht shqiptare”.
Sipas të dhënave të anketës, vetëm 18.4% e të anketuarve marrin pjesë në shoqata, organizatat apo rrjetet shqiptare në vendet pritës. Këto janë kryesisht shoqata shkencore/mjekësore (53.7%), kulturore (37.0%) ose shoqatat studentore (22.2%)
Për shembull, Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër ka rreth 400 anëtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Qëllimi i këtyre shoqatave është të ndihmojë mjekët shqiptarë të integrohen në vendin pritës, të shkëmbejnë informacion dhe shkëmbim të ekspertizës.
/Monitor