Ditën e djeshme, Nehat Kulla i njohur si “Gjenerali” ose i forti i 1997-ës ndërroi jetë si pasojë e Covid-19.
Sipas burimeve ekskluzive për “gazetareforma.com”, në varrimin e 67-vjeçarit Nehat Kulla, pasditen e djeshme kanë marrë pjesë mbi 800 persona.
Kujtojmë këtu se ndodhemi në mes të një pandemie e cila u ka marrë jetën 38 personave deri më sot në vendin tonë dhe apeli i përditshëm i Ministrisë së Shëndetësisë dhe mjekëve është distancimi social.
Pak kohë më parë, Kulla humbi edhe vëllain e tij Ramazan Kulla, i cili ishte prekur po ashtu nga Covid-19.
Lajmin për humbjen e 60-vjeçarit Ramazan Kulla për shkak të koronavirusit, e bëri me dije vetë Ministria e Shëndetësisë.
Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama u shpreh në një video “live” se nuk do të lejohej më as një lloj grumbullimi , ose ndryshe do të merren masa të ashpra ndëshkuese ndaj individëve që do të thyejnë rregullat.
“Nuk do të lejojmë më asnjë lloj grumbullimi, qoftë edhe politik dhe u them të gjithëve vazhdoni punën, liria lëvizjes është e garantuar, por grumbullimi me shumë se sa numri i personave të lejuara nga protokolli i sigurisë nuk do të lejohet më.
Policia do të bëjë detyrën pa bërë asnjë dallim ndaj kujtdo qoftë. Kush merr pjesë në grumbullimi apo grupime më të mëdha se sa numrat e lejuara do të penalizohet drejtpërdrejtë individualisht.
Qytetarët do të vijonë të qarkullojë lirisht pa kufizime e autorizime, por edhe ato do të penalizohen nëse kapen në shkelje të rregullave të thjeshta të distancimit social”, u shpreh kryeministri Rama.
Këto deklarata nga vetë kreu i shtetit mesa duket as nuk janë marrë për bazë e as nuk po merren, pasi rregullat e distancimit u thyen edhe në varrimin e Ramazan Kullës, por edhe të vëllait të tij Nehat Kullës.
Edhe pse lëvizja e mjeteve apo e personave nga një qytet në tjetrin ka qenë rreptësisht e ndaluar nga qeveria, kjo mesa duket nuk ka funksionuar për t’i mbajtur njerëzit në shtëpitë e tyre.
Shumë mjete e shumë persona kanë lëvizur “nën hundën” e efektivëve të policisë rrugore dhe asnjë masë nuk është marrë.
Mesa duket qeveria merr masa duke nxjerrë policinë në rrugë vetëm kur në kryeqytet organizohen protesta kundër kryeministrit Rama.
Me urdhër të këtij të fundit, shumë persona u gjobitën në Tiranë por edhe në qytete të tjerë të Shqipërisë, pasi thyen rregullat e karantinimit në periudhën kur vendi u izolua totalisht për dy muaj për mos përhapjen e Covid-19.
Jo më larg se sot, protestuesit e Shoqatatave të Transportit u shpërndanë nga policia, pasi protestuan për të disatën herë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Shpërndarja e tyre ndodhi pas urdhërit të djeshëm të komunikuar nga vetë kryeministri Rama për distancimin social.
Ditën e sotme Ministria e Shëndetësisë raportoi për 50 raste të reja në vendin tonë, në 24 orët e fundit, e ndërsa ditën e djeshme u thye rekordi i shifrave me 82 raste të reja.