Prej vitesh ai lufton për të ruajtur atë pak hapësirë mjedisore që ka mbetur e pa shkatërruar dhe e pa gllabëruar nga PPP-të dhe oligarkët e babëzitur, në vendin tonë, sa që dukej sikur luftonte “me mullinjtë e erës”.
Por ambiantalisti Prof. Sazan Guri ja ka dalë që të paktën të shqetësojë ose të lërë pa gjumë sidomos ata ndërtues ose oligarkë që kanë kryer krime të shëmtuara mjedisore në Shqipëri pa pyetur fare për ligje dhe shtet.
E pikërisht këtë të fundit (shtetin), duket se oligarkë si Gentian Sula i “AGI Kons”-it e ka futur në “thes”, pasi ka disa vite që nën qeverisjen e Rilindjes ai po rrënon dhe betonizon gjithë kodrat e Selitës, me pretendimin se po “e zhviollon zonën”.
Madje Sula, nën bekimin e pushtetit dhe bashkisë, si dhe nën heshtjen e opozitës, ka vendosur tashmë që t’i mbyllë gojën edhe studiuesve, gjeologëve dhe ekspertëve të mjedisit, duke i shantazhuar me gjyqe për prishje imazhi, apo edhe me forma të tjera kanosjeje.
Nisur nga një status i mbrëmshëm i ambientalistit Sazan Guri, në rrjetet sociale, ku ai deklaronte hapur kërcënimet dhe shantazhet që po i bëhen nga pronari i residencave “Kodra e Diellit” 1 dhe 2, Gentian Sula, “Gazeta Reforma” mori kontakt direkt me Prof. Gurin.
“Gazeta Reforma” e pyeti profesor Sazan Gurin, në lidhje me këtë çështje, se si qëndron e vërteta mbi deklarimet e tij, si këto të fundit ashtu dhe ato të mëhershme të bëra publike në media.
Reforma: Profesor, si është çështja e gjyqit me ndërtuesin Gentian Sula i “Agi Kons për çështjen te “Kodra e Diellit”? A mendoni se pretendimet e tyre ndaj jush përbejnë në vetvete shantazh?
Prof. Sazan Guri: Po, është shantazh! Jo për mua, por për mendimin e lirë dhe shkencor, që të mos i prishet terezia e punëve të pista të një biznesi të caktuar.
Reforma: Duke e parë nga syri i gjeologut, a mendoni se gërmimi pa kriter në kodrat e Selitës do të shkaktojë pasoja afatgjata mjedisore dhe afatshkurtra si rrëshqitje dheu dhe rrezikim të investimeve?
Prof. Sazan Guri: Kemi një terren ku bimësia sa vjen e mungon, erozioni sa vjen e rritet, pjerrësia është mbi 14 gradë. Kjo zonë në kokë të tektonikave sizmike që gjenerojnë tërmete, ndërtimet urbane që shtohen, ndryshe nga Tirana fushë dhe Dajti, rreziku këtu është shumë më i shtuar. Këtë e tregon dhe fakti, se aty zona ka rrëshqitur edhe muaj më parë.
Reforma: Si mendoni për prishjen e peisazhit natyror të kodrave të Selitës? A duhet reaguar, pasi aty prej vitesh hidhet beton dhe po zhduken hektarë të tëra me ullishte?
Prof. Sazan Guri: Tirana e ka drejtimin e saj zgjerues që është zona tek ish-stacioni i Trenit, ajo në Paskuqan. Çdo dendësim urban tjetër, nuk është miqësor dhe në përputhje me mjedisin, por i dëmshëm.
Ndërtimet i ngjiten maleve dhe kodrave
Ndërtimet në kryeqytet nuk kanë pushtuar vetëm qendrën. Kodrat e Selitës në Tiranë janë një shembull se si babëzia për të ndërtuar dhe betonizuar çdo hapësirë nuk njeh kufij.
Residencat “Kodra e Diellit” tashmë janë një shembull se si është gërmuar për t’i hapur rrugën banesave duke dëmtuar rëndë ambientin.
Jo vetëm qendra e qytetit është shpërfytyruar nga ndërtimet pa asnjë kriter, por ka kohë që tashmë me leje të kryetarit të bashkisë, investitorët i janë qepur dhe kodrave.
Rezidenca e cila po zgjerohet ditë pas dite, përveçse po prish ekuilibrin e gjelbër të zonës, por është e rrezikshme pasi po ndërtohet në tokë me formacion të dobët tektonik.
”Ajo kodër është kodër tektonike. E cila nga ana perëndimore kjo kodra nga lindja i mbihipën pjesës perëndimore, dhe ka një prishje tektonike të thellë dhe të lëvizshme”,- do të deklaronte pak kohë më parë në media ambientalisti dhe gjeologu Sazan Guri.
Sipas tij, ”kjo kodër që ka erozion të lartë, ka rrëshqitje të lartë, ka bimësi të ulët për shkak se duke u kthyer në vepër urbane, bimësinë e heq. I vë një peshë, dhe jo një peshë. I vë 10 pesha. Në vend që një karroce t’i vësh 100 kile, t’i i vë 500 kile. Pra, kësaj toke për metër katror ose për hektar, ti po i bën një peshë shumë herë më të madhe”.
Padia nga “AGI Kons”
Sipas Sazan Gurit, i gjithë ky aktivitet ndërtimor që po kryhet me bekimin e kryetarit të bashkisë, në rast se do të vijojë në këto forma, dhe do të ketë një tërmet, përfundimi mund të jetë i dhimbshëm.
Por këto deklarata të profesor Sazan Gurit, dhënë për mediat sollën si pasojë një padi penale nga ana e kompanisë “AGI Kons” të biznesmenit Gentian Sula.
Një padi e tillë u regjistrua për herë të parë në Shqipëri ndaj një ambientalisti dhe një eksperti mjedisi, për qëndrimet e tij profesionale.
Të mërkurën e 28 tetorit, gjykata zhvilloi seancën e pajtimit mes palëve. Sipas profesor Gurit, përfaqësuesit e kompanisë “AGI Kons” i kanë kërkuar të përgënjeshtrojë vetëveten.
“Gjykata tentoi për herë të dytë të na pajtonte me kompaninë ‘Agikons’ dhe mesa kuptova dhe ma shprehu avokati i kompanisë, nëse ti thua gjëra të ndryshme nga çfarë ke thënë më përpara, atëherë mund të quhet gjyq i mbyllur. Kam thënë pak radhën e parë, do të them atë dhe më tepër si është e vërteta”,- deklaroi Prof. Sazan Guri.
Me gjithë çështjen që tanimë ka kaluar për gjykim, Sazan Guri i qëndron deklaratës dhe studimit të kryer. “E konfirmoj edhe me provat më të pakontestueshme”.
Ambientalisti, Sazan Guri, në këtë proces gjyqësor mbrohet nga avokati Altin Goxhaj.
Ata shprehin bindjen se, asnjë gjykatë në Shqipëri apo në botë, nuk mund të hedhë poshtë studime shkencore me fakte të mbledhura gjatë proceseve studimore, disa vjeçare.
/GazetaReforma.com/