E quajti Gjonajn “halabake rrugësh”, Aleanca Gjinore për Zhvillim reagon pas deklaratës së Kryemadhit

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pak ditë më parë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi sulmoi verbalisht ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Ndërsa e akuzonte për falsifikim të protokollit të Ministrisë së Drejtësisë, Kryemadhi e quajti Gjonajn “halabake rrugësh”.

Në lidhje me gjuhën e përdorur nga Kryemadhi ka reaguar “Aleanca Gjinore për Zhvillim”.

Aleanca ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur nga Kryemadhi në drejtim të Etilda Gjonajt.

Sipas Aleancës, kjo lloj gjuhe nxit urrejtje ndaj ministres nga pjesa e popullsisë, e cila është paragjykuese ndaj femrave.

Në reagim gjithashtu këshillohen politikanët, që të bëjnë kujdes me gjuhën e përdorur në publik, pasi kanë rol të rëndësishëm në edukimin e elektoratit.

Reagimi:

“Liria e shprehjes është një e drejtë themelore e cila duhet të mbrohet, por nuk është një e drejtë absolute. Lira e shprehjes duhet gjithashtu të respektojë kufij veçanërisht në lidhje me gjuhën e urrejtjes. Gjuha e urrejtjes ndaj grave është një çështje e vjetër sa njerëzimi dhe e nën raportuar në Shqipëri, që është një vend që ka ratifikuar Konventën e të Drejtave Civile dhe Politike dhe Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Fatkeqësisht gjuha e urrejtjes është bërë pjesë e fjalorit të disa politikanëve/eve shqiptarë dhe dukshëm tolerohet nga pjesa tjeter e tyre.

Disa personazhe publike, politikanë/e, Avokatja e Popullit, përfaqesueset e shoqërisë civile, përfaqesuese të medias jane bërë target i guhës së urrejtjes e cila është shtuar në vitet e fundit.

Ne në Shqipëri për fat të keq, nuk kemi mjete ligjore dhe politike për ta dënuar me forcë gjuhën e urrejtjes dhe përndjekur përdoruesit e saj.

Ndërsa presim nga udhëheqësit/et politikë/e të dërgojnë sinjale për publikun ku të dënojnë ligjërimin e dhunshëm ndaj grave, dëgjojmë sharje dhe fyerje të cilat në një shoqëri demokratike nuk duhet të tolerohen.

Është bërë zakon tashmë që gjuha e urrejtjes të shoqërojë lajme dhe informacione të dhëna nga personalitete të ndryshme për persona të tjerë, qofshin burra apo gra. Një informacion që duhet t’i jepet prokurorisë menjëherë dhe tani edhe SPAK-ut mbahet pezull me javë e muaj të tërë për t’u përdorur politikisht edhe kur bëhët fjalë për çështje me interes publik. E pastaj në fund shumica e këtyre lajmeve janë “flluska sapuni”.

Kohët e fundit Ministria e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj u bë target i gjuhës së urrjetjes publikisht nga znj. Monika Kryemadhi, kryetare e LSI në një takim me përfaqësues të partisë së saj në prani të mediave. Ky fjalor haptazi nxit urrejtje ndaj Ministres te pjesa misogjene e popullatës.

Çfarë domethënë “halabake rrugësh”? Sipas fjalorit domethënë rrugaçe! Ç’kuptim ka që një grua në politikë të etiketohet me këtë term? Nëse sheh komentet në mediat që e publikuan lajmin misogjenët nuk kishin kursyer as zonjën që e përdori.

Kur këta politikanë/e dhe përfaqesues/e flasin në publik duhet të kenë të qartë rolin e tyre në edukimin e elektoratit që i ndjek dhe publikut në përgjithësi që dëgjon në media fjalime apo deklarata.

Nga personat në politikë dhe në vendimmarrje presim të gjithë të zbatojnë konventat ndërkombëtareve dhe ligjeve të vendit. Ata duhet të jenë shembull i përdorimit të gjuhës amëtare me kujdes e pa urrejtje, të luftojnë misogjininë dhe të nxisin tolerancën dhe mirëkuptimin.

Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”

Qendra për Nisma Ligjore e Qytetare

Linja e Këshillimit për Gra e Burra

Rrjeti i Fuqizimit të Gruas Shqiptare”

Shpërndaje
Share.

Komento