Skip to content
Kryesore

“E qëllova unë”/ Kush është shqiptari që vrau biznesmenin në Itali

· 2 min lexim

Më 7 janar 2025, në Lunata të Italisë, u gjet i vrarë biznesmeni shqiptar Artan Kaja, i njohur ndryshe si Toni.

Fillimisht ngjarja u raportua si aksident në punë, por autopsia zbuloi se Kaja ishte qëlluar me armë zjarri në kokë nga një distancë e afërt, duke konfirmuar se bëhej fjalë për një vrasje.

Autoritetet italiane arrestuan Marian Tepa, 50 vjeç, gjithashtu me origjinë shqiptare, i cili u vetëdorëzua në polici dhe pranoi autorësinë e krimit.

Sipas deklaratave të Tepës, ai e kishte pritur viktimën në një zonë të izoluar të fabrikës dhe pas një debati të ashpër për çështje pune, e kishte qëlluar për vdekje.

Burime hetimore bëjnë të ditur se mes viktimës dhe autorit kishte pasur një konflikt disa javë para ngjarjes, që dyshohet të jetë shkaku kryesor i vrasjes.

Ndërkohë, arma e krimit nuk është gjetur ende dhe hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Artan Kaja, i cili drejtonte një kompani të vogël për transport automjetesh, ishte një figurë e njohur dhe e respektuar në komunitetin lokal.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në zonë, ku Kaja njihej për përkushtimin ndaj punës dhe familjes.

Autori i dyshuar, Marian Tepa, mbetet në paraburgim në burgun “San Giorgio” në Lucca, ndërsa autoritetet po punojnë për të mbledhur prova shtesë dhe për të gjetur armën e përdorur.