Ndërkohë që kryeministri Rama dhe qeveria propagandojnë për arritje të mëdha dhe dërgim të satelitëve në hapësirë, në Indeksin e Sundimit të Ligjit, 2020-2021 të publikuar së fundmi nga “World Justice Project”, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria renditet e 83-a nga 139 shtete, e fundit në Europë. Në krahasim me një vitë më parë, Shqipëria merr 0.49 pikë, me rënie me 0.01 pikë (zero është vlerësimi më i ulët dhe 1 është më i lartë).
Në renditjen e 2018-2019, Shqipëria ishte në vendin e 71, (0.51 pikë), që do të thotë se ka pasur përkeqësim me 12 pozicione.
Në indeks matet zbatimi i ligjeve në praktikë, përmes sondazheve me popullatën dhe pyetësorëve të kualifikuar, duke dhënë informacion origjinal që reflekton përvojën dhe perceptimin e publikut të përgjithshëm, në 139 vende. Po ashtu në raport theksohet se zbatimi efektiv i ligjit redukton korrupsionin, lufton varfërinë dhe sëmundjet dhe i mbron njerëzit nga padrejtësitë e mëdha dhe të vogla.
Në Europë dhe rajon Shqipëria mban pozicionin më të keq dhe kalon edhe Serbinë që deri tani renditej e fundit. Në raportin e 2020-2021, Serbia u pozicionua në vendin e 81. Nga vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut renditet më mirë nga rajoni, në vendin e 64-të, ndërsa Bosnja është në vendin e 72-të. Kosova dhe Mali i Zi nuk përfshihen në renditje.
Në treguesin e korruprionit Shqipëria ka një renditje tepër negative, ku është në vendin e 105 nga 139 vendet, ndërkohë që në vitet e mëparshme ka qenë në vend të 93 dhe më pas 103. Shqipëria perceptohet që ka korrupsionin më të lartë në Europë dhe rajon, shkruan Monitor.al.
Nga rajoni Bosnja është në vend të 87, Maqedonia e Veriut në vend të 72, Serbia në vend të 84. Vendet e rajonit kanë bërë hapa pas s ai përket korrupsionit vitet e fundit. Ky tregues mat ryshfetin, pagesat informale, konkurrencën në kontratat e punëve publike, ryshfetin në gjyqësor dhe politikë etj.
Edhe në treguesin e kufizimit në fuqinë e qeverisë, Shqipëria është përkeqësuar dukhsëm dhe renditet në vendin e 109, nga pozicioni i 79 në raportin e 2018-2019. Krah Shqipërisë pozicionohen vende si Afganistani, Mozambiku, Uganda, Kazakistani etj. Më afër Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut në vendin e 92. Ky tregues mat sa i pavarur është gjyqësori, sa funksionojnë agjencitë audituese dhe sa pavarësi kanë ato të bëjnë kontrolle ndaj qeverisë; nëse zyrtarët hetohen dhe dënohen për shkelje; nëse mediat janë të pavarura; nëse zyrtarët zgjidhen sipas rregullave e procedurave të parashikuara nga kushtetuta.
Shqipëria ka një renditje negative në treguesit e korruprionit dhe kufizimet në Indeksin e fundit të Zbatimit të Ligjit. Ndërkohë, në qeverisjen e kaluar pozicioni ishte në vendin e 82. Pak më mirë janë pozicionet në tregun e të drejtave themelore dhe të rendit dhe sigurisë, respektivist 66 dhe 47, edhe pse ka përkeqësim, nga pozicioni i 31 që ishte në 2018-2019.
Shqipëria pozicionohet në vendin e 92 për të drejtën civile dhe në vendin e 80 për drejtësinë kriminale.
Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda janë vendet me ecurinë më të mirë në raportin e 2020-2021dhe vijojnë të mbeten në vendet e para. Asnjë ndryshim nuk ka edhe në vendet e fundit, ku renditen Kongo (137), Kamboxhia (138) dhe Venezuela (139).