Redjan Rraja është personi i arrestuar nga policia, i cili dyshohet se është i përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja.
‘Newsbomb’ shkruan se Rraja është ndaluar, në momentin kur po përpiqej të largohej nga Shqipëria.
Ai nuk ka pranuar akuzat, por është identifikuar nga ADN-ja.
Redjan Rraja është nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.
Emri i tij është përmendur edhe më parë nga ish-oficeri Emiljano Nuhu, në dosjen e ‘Xhisiela Malokut’.
Të premten pasdite, persona të paidentifikuar hapën zjarr ndaj makinës ku ndodhej prokurori Arjan Ndoja, Landi Muharremi i njohur si ‘i forti’ i Sukthit dhe shoferi Andi Maloku.
Ngjarja u regjistrua në mbikalimin e Shkozetit, në momentin që makina po futej në autostradën Durrës-Tiranë.
Si pasojë e breshërisë së plumbave, mbetën të plagosur të tre personat që ndodheshin në makinë.
Në gjendje më të rëndë është shoferi Andi Maloku, i cili ka marrë plumba në mushkri dhe shpinë.
Prokurori Arjan Ndoja dhe Muharremi janë jashtë rrezikut për jetën, me këtë të fundit që ka marrë një plumb në nofull.