Dyshimet për abuzim: Çfarë fshihet pas figurës së kreut të AKZM, i transferoi organizatës së tij miliona nga buxheti i shtetit

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ministri Blendi Klosi gjatë një akiviteti të disa muajve më parë, deklaroi se kufijtë e zonave të mbrojtura në të gjithë vendin, do të rishikohen.

Ky projekt  u vu në jetë nëpërmjet një tenderi të dyshimtë nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e drejtuar nga Zamir Dedej.

Procesi u udhëhoq nga AKZM dhe një shoqatë e vogël, e quajtur “Shoqata Kombëtare e Parqeve të Shqipërisë”.

Kjo e fundit ishte e lidhur me një organizatë mjedisore të quajtur INCA.

Këtu është edhe e gjithë kleçka e këtij problemi dhe pjesa ku fillojnë të ngrihen hijet e dyshimit për një konflikt të mundshëm interesi.

INCA është një organizatë mjedisore, e cila për 7 vite drejtohej nga drejtori aktual i AKZM, Zamir Dedej.

I kontaktuar nga BIRN, drejtori i “Shoqatës Kombëtare të Parqeve”, Genci Kaçorri, mohoi lidhjet me INCA-n dhe me Zamir Dedejn.

Mirëpo mohimi që ky i bëri nuk mjaftoi për të shuar dyshimet.

Shkak për këtë u bë edhe mungesa e eksperiencës së kësaj shoqate në drejtimin e projekteve të tilla.

Tenderi në fjalë u publikua më 5 qershor të 2019-ës nga AKZM, me një fond limit prej 33.3 milion lekësh të reja, ku u shpall fituese shoqëria e Kaçorrit, për një ofertë prej 32.4 milion lekësh.

Kjo shoqatë ishte pothuajse e vetme në garë, pasi “Vaya International” dhe “Archnet 360” nuk paraqitën asnjë ofertë për të mbështetur aplikimin në AKZM.

Shoqata Kombëtare e Parqeve të Shqipërisë, e cila dyshohet se ka lidhje me INCA-n, ka përfituar dy tendera me vlerë 382 milion lekë për studimin e zonave të mbrojtura.

Në tender ishte deklaruar si adresë rruga “Islam Alla”, Pallati i Verdhë, nr. 3/6, kati i parë në Tiranë, mirëpo zyrat e kësaj shoqate të nxirrnin në Institutin për Ruajtjen e Natyrës, (INCA), e cila është drejtuar nga Dedej që nga viti 2008-2015.

Në njërën prej zyrave të INCAS në këtë rrugë, një punonjës, i cili ndodhej pas një tavoline me dokumenta, pohon se aty ndodhej “Shoqata Kombëtare e Parqeve”.

Më pas ai telefonon Kaçorrit, i cili i përgjigjet se nuk do të vijë në punë.

Ky i fundit i kontaktuar nga BIRN mohoi kategorikisht lidhjet me INCA, por u tregua konfuz për periudhën kur kishte themeluar shoqatën.

Përsa i përket procesit të rishikimin të zonave të mbrojtura, ekspertët kanë mjaft kritika, pasi po reduktohen zonat e mbrojtura në bregdet me justifikimin se po shtohet sipërfaqja e mbrojtur në vend në mbi 20% të territorit.

Emri i Zamir Dedejt ndërkohë, është lakuar edhe më parë nga PD, për transferim fondesh në drejtim të INCAS-s.

Ka dyshime të forta se Dedej ka përdorur AKZM, për t’u pasuruar me disa tendera të tjerë për investime, monitorime dhe trajnime.

Në disa dokumente të publikuara në media, shihet sesi AKZM i ka ka kaluar në fshehtësi 330 milion lekë INCA-s.

Për të hedhur më shumë dritë rreth destinacionit të parave, Gazetareforma.com ka kontaktuar Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe është në pritje të një përgjigjeje.

Shpërndaje
Share.

Komento