Ditën e sotme drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim, Endri Fuga tha të mërkurën në Kuvend se ka pasur një hop cilësor në transparencën e qeverisë pas krijimit të saj, duke përmenduar si arritje trafikun e vizitorëve në faqen online të qeverisë dhe praktikën e komunikimit të ministrave me gazetarët pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Endri Fuga i bëri komentet gjatë një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, e kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa. Ai tha se Agjencia për Media dhe Informim lindi si nevojë për të bërë një organizim të strukturuar të punës për informimin e medias dhe publikut pas hapjes së shumë portaleve online dhe zhvillimine rrjeteve sociale.
“Ne shohim një rritje të numrit të personave që vizitojnë faqen e kryeministrisë,” tha Fuga duke e prezantuar këtë si një prej arritjeve pozitive të 3 muajve që kur ka nisur punë kjo agjenci.
“Kemi bërë rikonceptim të ri të faqes së Këshillit të Ministrave, ku informacioni qoftë për gazetarët, qoftë për publikun serviret më i thjeshtuar,” shtoi ai.
Edhe faqen online të vetë agjencisë e konsideroi “një hap përpara për transparencën”, pasi sipas tij, ajo shërben si “agregat” i gjithë njoftimeve, vendimeve dhe çdo informacioni që ka të bëjë me punën e ministrive.
Deputetja Zhupa i drejtoi një dyzinë me pyetje Fugës duke e cilësuar punën e agjencisë që ai drejton si “propagandë të institucionalizuar me para publike”, por Fuga këmbënguli se qëllimi i agjencisë ishte transparenca dhe se po ndiqte modelin gjerman në strukturimin e saj.
“Mund t’ju dukem naiv, por jam idealist,” u tha ai deputetëve, “por objektivi im që është Agjencia për Median dhe Informim shqiptare të kthehej në modelin e agjencisë gjermane”.
Ina Zhupa ishte e vetmja deputete e opozitës që kishte pyetje për Fugën gjatë seancës dëgjimore. Sipas saj puna që bën agjencia e drejtuar nga Fuga nuk ka asgjë të ngjashme me modelin gjerman që vë theksin tek liria e medias dhe e shprehjes.
“Qëllimi kryesor i saj është që të përcjellë në publik propagandën e qeverisë,” tha ajo, duke e konsideruar problematike vendimin për krijimin e “një strukture gjigante kontrolli”.
Zhupa e cilësoi centralizim të kësaj “propagande” faktin që drejtori i agjencisë ka të drejtë ligjore të emërojë zëdhënësat e gjithë ministrave. Por Fuga mohoi që ta kishte ushtruar këtë kompetencë që i jepte akti nënligjor për themelimin e agjencisë dhe theksoi se po punonte me të gjithë këshilltarët e emëruar nga vetë ministrat. Po ashtu ai mohoi që agjencia po përgatiste fjalimet apo direktivat e qëndrimeve politike për ministrat.
Çështja e kostove financiare të kësaj agjencie ishte po ashtu një pikë që krijoi debat me deputeten Zhupa, duke marrë shkas nga struktura me 69 punonjës dhe buxheti i planifikuar për kriimin e saj.
Zv/sekretarja e Përgjithshme e Kryeministrisë, Elira Kokona, e cila shoqëronte Fugën në këtë seancë dëgjimore, bëri një prezantim të kostove të parashikuara për krijimin e agjencisë, që kapnin shifrën 230 milionë lekë, e ndarë në zëra, ku përfshiheshin paga dhe sigurime 92 milionë lekë, shpenzime operative 48 milionë lekë dhe shpenzime kapitale 90.5 milionë lekë.
“Parashikimi i shpenzimeve kapitale nuk është realizuar për nevoja të ristrukturimit të buxhetit dhe krizës,” tha ajo.
Ndërsa Fuga sqaroi se buxheti është shumë më i ulët se sa ishte parashikuar pasi 2/3 e punonjësve janë të transferuar nga institucione të tjera dhe pagat e tyre ishin parashikuar në buxhetet e këtyre institucioneve.
Ai theksoi se nuk është shpenzuar buxheti i parashikuar për një godinë të re duke shfrytëzuar pa qira zyrat e Pallatit të Kongreseve.
Drejtori i Agjencisë për Median ripërsëriti se synimi i vetëm për ngritjen e saj ishte transparenca për publikun dhe kordinimi i informimit me institucionet e tjera. Fuga deklaroi se agjencia do të luante rol dhe në edukimin qytetar me hapjen e godinës së kryeministrisë dhe ministrive për vizita nga fëmijët e shkollave.
Endri Fuga ka shërbyer si këshilltar për mediat i kryeministrit Edi Rama për shumë vite dhe u emërua prej tij drejtor i kësaj agjencie, e cila është krahasuar nga organizatat e lirisë së shprehjes me një “ministri propagande”.
Në VKM për krijimin e saj parashikohet që agjencia do të kontrollojë emërimin dhe shkarkimin nga puna të zëdhënësve të institucioneve qendrore, të cilët deri më sot emëroheshin dhe shkarkoheshin nga ministrat përkatës dhe mbanin zakonisht statusin e këshilltarit. Kjo agjenci do të kontrollojë gjithashtu aktivitetin publik të ministrave, përfshirë konferencat e tyre për shtyp. “Drejtori i Përgjithshëm, statusi i të cilit barazohet me atë të ministrit të shtetit, është zëdhënës i Këshillit të Ministrave,” thuhet në vendim.
Organizatat ndërkombëtare për lirinë e shprehjes kanë shprehur shqetësim lidhur me këtë vendim të qeverisë shqiptare dhe i kanë kërkuar Bashkimit Evropian t’i bëjë presion qeverisë kundër krijimit të kësaj agjencie. Në një deklaratë të publikuar në tetor 2021, gjashtë organizata ndërkombëtare e quajnë “shqetësuese” krijimin e agjencisë dhe e shohin atë si një hap drejt përkeqësimit të lirisë së medias në Shqipëri.
Edhe Komisioni Europian ngriti shqetësimin e lirisë së medias në progres-raportin e fundit, kur theksohej se Shqipëria nuk ka bërë hapa përpara për sa i përket lirisë së shprehjes.
Marrë nga Reporter.al