Pesë persona kanë përfunduar në pranga pas një operacioni të zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në pikën kufitare të Kapshticës, ku u sekuestruan rreth 6 kilogramë heroinë.
Katër nga të arrestuarit janë efektivë të policisë kufitare, mes tyre edhe një përgjegjës turni, të dyshuar për shpërdorim detyre.
Ata dyshohet se kanë lejuar kalimin e lëndës narkotike përmes pikës kufitare, në bashkëpunim me drejtuesin e automjetit në të cilin u gjet droga.
Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit të një mjeti që po dilte nga Shqipëria.
Sipas burimeve hetimore, çështja ka qenë nën vëzhgim për më shumë se dy vjet, për shkak të dyshimeve për një rrjet të strukturuar që merrej me trafikun e heroinës nëpërmjet Kapshticës.