Skip to content
Kryesore

Dritan Rexhepi paraqitet në Gjykatën e Posaçme pas ekstradimit nga Turqia

· 1 min lexim

Gramoz (Dritan) Rexhepi, një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, u paraqit këtë të premte në Gjykatën e Posaçme për seancën e vlerësimit të kushteve të masës së sigurisë, pas ekstradimit të tij nga Turqia.

Ai është i akuzuar për rrëmbimin dhe fshehjen e trupit të Jan Prengës, ngjarje që ndodhi në janar 2020 dhe dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një borxhi lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike.

Rexhepi ka një histori të gjatë kriminale. Ai u dënua në vitin 1998 me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë.

Gjithashtu, është i njohur për arratisjet spektakolare nga burgu, përfshirë një arratisje nga burgu i Pavias në Itali në vitin 2008 dhe një tjetër në Belgjikë.

Në vitin 2013, ai përdori pasaportë të falsifikuar për t’u larguar nga Shqipëria dhe nuk u kthye më.

Ai është gjithashtu i dënuar për disa krime të tjera, përfshirë rrëmbimin e personit, fshehjen e kufomës, trafikimin e lëndëve narkotike dhe falsifikimin e dokumenteve zyrtare.