Çdo vit, më 1 Qershor, në mbarë botën festohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, një ditë e cila nuk është thjesht një rast për lojëra dhe argëtim, por edhe një thirrje për reflektim dhe veprim në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.
Është dita kur fëmijët kërkojnë më shumë vëmendje, më shumë mbështetje dhe më shumë dashuri, nga prindërit, mësuesit dhe bashkëmoshatarët.
Kjo datë u përzgjodh në kujtim të Konferencës Botërore për Mirëqenien e Fëmijëve, mbajtur në Gjenevë në vitin 1925.
Rastësisht, po në të njëjtën ditë, konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko organizoi një festë për fëmijët jetimë kinezë në kuadër të festivalit tradicional të “Anijes së Dragoit”.
Këto dy ngjarje u bënë baza historike për vendosjen e 1 qershorit si Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, e cila, dy vite më vonë, nisi të festohej në shumë vende të botës.
Që prej asaj kohe, kjo ditë është shndërruar në një simbol të përkushtimit global për të mbrojtur fëmijët nga dhuna, abuzimi, bullizmi dhe çdo formë tjetër shfrytëzimi.
Me krijimin e Ditës Botërore të Fëmijëve, Kombet e Bashkuara theksuan të drejtën e çdo fëmije për dashuri, përkujdesje, arsim, mbrojtje shëndetësore dhe një fëmijëri të gëzueshme në një botë të paqes dhe barazisë.
Në Shqipëri dhe në të gjithë globin, 1 Qershori shënohet me aktivitete të shumta koncerte, lojëra, dhe ngjarje kulturore, që kanë për synim të sjellin buzëqeshje në fytyrat e të vegjëlve dhe të kujtojnë të rriturve detyrimin për t’u siguruar një të ardhme të ndritur.
Fëmijët nuk kërkojnë shumë: një përqafim, një fjalë të mirë dhe një botë ku ndihen të sigurt.
Dhe në këtë ditë, ata na rikujtojnë se çdo fëmijë, pa dallim, ka të drejtë të lumturohet, të dëgjohet dhe të respektohet.
1 Qershori është një kujtesë e fuqishme për të gjithë, prindër, institucione dhe shoqëri se investimi në fëmijët është investimi më i çmuar për të ardhmen.