‘Dhuna ndaj banorëve të Astirit”, PD dorëzon kallëzimin penal në Prokurorinë e Tiranës

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Partia Demokratike dorëzoi sot në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal, për atë që konsideron dhunë ndaj banorëve të Astirit.

Ish-deputeti Klevis Balliu tha se padia është ngritur ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, Drejtorit të Policisë, Ardi Veliu, Drejtorit të Policisë së Tiranës, Niko Brahimaj, kryeinspektorit të policisë bashkiake, Ermal Kapllanaj, drejtueses së IKMT, Dallëndyshe Bici dhe përgjegjësit të degës së IKMT për Tiranës, Granit Korbi.

Balliu u shpreh se ky është hapi i parë i premtimit të PD për banorët e Astirit. Më tej ai shtoi se banorët do të dëmshpërblehen cent për cent.

“PD do të vijojë me demaskimet, projekti është fiktiv gjithçka kanë hequr mbi kurriz duhet t’iu paguhet atyre banorëve. Ky është hapi i parë për të vënë para drejtësisë përgjegjësit. Hapi i dytë, dëmshpërblim cent për cent të banesave, edhe banorët këtë duan, sa duan arrestimin e atyre që i dhunuan, nuk duan dëmshpërblim”, u shpreh ish deputeti Klevis Balliu.

Ndërsa Sekretari Ligjor në PD, Çlirim Gjata, tha se shembjet u bënë pa një vendim të qartë.

Ndër të tjera ai listoi edhe disa nene, që sipas tij janë shkelur.

“IKMT, nuk mund të ndërhyjë për shembje kur s’ka një vendim të qartë kur s’ka projekt. Selektiviteti që është bërë, nuk është respektuar e drejta civile, ligji e thotë se bëhesh pronar nëse ke 20 vite ne atë pronë. Janë dy dispozita të kodit civil që ndalojnë shembjen. Sa i takon policisë janë të listuata rreth 15 nene. Është në shpërdorim detyre nga ministri i brendshëm deri te ai që e ka përdor gazin. Të tregojnë urdhrat mbi të cilët kanë vepruar. Kemi diskutuar nëse Miloshevici i përzuri kosovarët për shkak të spastrimit etnik, Rama po e bën për shkak të korrupsionit. Një ditë të gjithë do të vendosen para përgjegjësisë”,  u shpreh Gjata.

Shpërndaje
Share.

Komento