Kryeministri Rama ndryshon grupin, negociator për marrëveshjen detare me Greqinë, ndërsa pret të vijë në Tiranë, ministrin e Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias. Mediat greke njoftojnë se Dendias pritet të vizitojë Tiranën më 20 tetor.
Burime nga kryeministri bëjnë të ditur se Rama ka bërë gati vendimin e qeverisë me emrat që do t’ia dërgojë Presidentit Meta, i cili jep plotfuqinë për të lidhur marrëveshje.
Një nga temat kryesore të bisedimeve do të jetë dhe çështja e detit me Shqipërinë. Pak ditë më parë, Dendias u shpreh se çështja kërkon që të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Dendias shpreson te rinisja e dialogut mes Shqipërisë dhe Greqisë rreth kësaj marrëveshje, ndërsa theksonte se zgjidhja e problemeve të vjetra është edhe në interesin e Shqipërisë duke pasur parasysh perspektivën evropiane.
“Zgjedhja e Greqisë është caktimi i kufijve të shelfit kontinental dhe EEZ, në bazë të Ligjit Ndërkombëtar, me të gjitha vendet fqinje. Pra, me Shqipërinë, ne duam ta zgjidhim këtë çështje të prapambetur sa më shpejt që të jetë e mundur. Shpresoj që së shpejti të jemi në gjendje të kapim përsëri fillin e bisedimeve përkatëse dhe të arrijmë një rezultat që do të kënaqë të dy palët. Është e rëndësishme, në kontekstin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe duke pasur parasysh perspektivën evropiane të vendit tonë fqinj, të mbyllim të gjitha çështjet e hapura”, deklaron Dendias.
Debati për çështjen e detit u rikthye kur kryeministri Kyriakos Mitsotakis do të deklaronte në parlament se, vendi i tij do të zgjerohej me 12 milje në detin Jon.
Rama dha dy përgjigje të ndryshme. Në shqipëri tha se Greqia ka të drejtë në bazë të Konventës ndërkombëtare të detit. Ndërsa në Athinë, i ftuar në Samitin e “The Economist”, më 16 shtator, kryeministri Edi Rama do të shprehej se kërkon që kjo çështje të zgjidhet nga një palë e tretë, qoftë edhe Gjykatë Ndërkombëtare.
Pralelisht më këto, po ndodh ndryshimi i grupit negociator.
Më 29 gusht 2020, kryeministrit Rama, shkruante: “Grupi ynë negociator për çështjen e detit ka nevojë për ndryshime, pasi disa anëtarë të tij janë larguar nga pozicionet që mbulonin kur janë zgjedhur në grupin negociator”.
S herë Rama takon grekët, ndryshon edhe grupi negociator. Me sa dike ata i ankohen se dikush aty nuk pranon të firmosë marrëveshjen. Grupi negociator kishte një vit që punonte, por publikisht nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar. Një ditë pas takimit me Mitsotakis, më 31 tetor 2019, Rama kishte njoftuar ndryshimin e grupit. Nga 13 ekspertë që bërbëhej më parë grupi, ai vendosi 7 zv.ministra të kabinetit të tij, që sigurisht i kontrollon më mirë.
Bisedimet u lanë në mes në 2018, pas disa takimeve në Greqi dhe Korcë mes ekspertëve të cilët drejtoheshin nga dy ish ministrat e Jashtëm Kocias dhe Bushati. Me largimin e tyre ndryshoi edhe grupi negociator por jo çështjet në diskutim.
Ç’po ndodh nën rrogoz?
“Mesa jam në dijeni grupi negociator ka mbaruar punë dhe pala negociatore shqiptare ka projektuar, ka një projekt marrëveshjeje, që e ka depozituar, që është nënshkruar nga të gjithë anëtarët e grupit negociator shqiptar, me përjashtim të njërit. Për rrjedhojë, unë sot kam parë një shkrim të një anëtari të grupit negociator, që ka deklaruar se pretendimi i Greqisë për të shtrirë ujërat territoriale të saj në 12 milje nuk prek kufirin shqiptar. Tani jemi në dilemën sa informacion i saktë është ky që qarkullon”, njoftonte në një intervistë televizive, të dhënë një muaj më parë, ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo
Por si është përbërja zyrtare aktuale e grupit negociator? Ja vendimi që ndryshoi grupin:
MBI PËRBËRJEN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT TË POSAÇËM PËR ADMINISTRIMIN E UJËRAVE NDËRKUFITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Përbërja e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare (në vijim, Komisioni) është, si më poshtë vijon:
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme, kryetar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mjedisin, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për energjinë, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për peshkimin, ujitjen dhe kullimin, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen, anëtar.
- Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka rolin e sekretariatit teknik të Komisionit dhe kryen këto detyra:
- a) Organizon mbledhjet e Komisionit dhe njofton anëtarët;
- b) Planifikon dhe harton projektaktet, sipas tematikave përkatëse;
- c) Realizon çdo detyrë tjetër që i ngarkon kryetari i Komisionit;
ç) Raporton periodikisht pranë Kryeministrit për veprimtarinë e Komisionit.
- Komisioni ngarkohet për administrimin e ujërave ndërkufitare, administrimin e marrëdhënieve me shtetet kufitare për këto ujëra, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar, në marrëveshjet ndërkombëtare, konventat dhe protokollet e nënshkruara nga Republika e Shqipërisë.
- Komisioni ka të drejtë të krijojë nënkomisione me ekspertë të fushave përkatëse për probleme dhe çështje specifike.
- Titullarët e institucioneve përgjegjëse të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, caktojnë përfaqësuesit e tyre në këtë Komision.
- Vendimi nr.177, datë 26.3.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, përbërjen, funksionimin, përgjegjësitë dhe detyrat e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare”, i ndryshuar, shfuqizohet.
- Ngarkohen Komisioni i Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe institucionet e përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.