Teksa bëhet pothujase një vit nga akti makabër që u bë ndaj Marigona Osmanit, Gjykata e Ferizajt ka marrë një vendim lidhur me vrasësin e saj.
Bëhet me dije se Gjykata e Ferizajt ka dënuar me burgim të përjetshëm, Dardan Krivaqën i cili vrau partneren e tij, Marigona Osmani. Ndërsa, bashkëpunëtori i tij, Arbër Sejdiu, u dënua me 15 vjet burgim për krimin e rëndë.
Theksojmë se 18-vjeçarja Marigona Osmani u vra nga partneri i saj Dardan Krivaqa, në banesën ku jetonin së bashku në qytetin e Ferizajt, më 22 gusht të vitit 2021 pasi e torturoi. Bazuar në atë që thuhet në aktakuzë, Dardan Krivaqa dyshohet më 21 gusht 2021 rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e ka detyruar të kryente marrëdhënie seksuale dhe ka abuzuar me të në forma të ndryshme. Një ditë më pas, Krivaqa dhe shoku i tij Arbër Sejdiu akuzohen se kanë vrarë Marigona Osmanin 18-vjeçaren.
Marigona Osmani u përdhunua dhe torturua përpara se të vritej
Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga Nacionale.com viktima është abuzuar seksualisht nga autori i dyshuar i krimit të rëndë, si edhe është rrahur në mënyrë mizore nga Dardan Krivaça dhe miku i tij Arbër Sejdiu. Prokuroria Themelore e Ferizajt ka siguruar prova filmike që tregojnë torturën ndaj Marigona Osmanit që u dhunua për vdekje nga dy të dyshuarit, të cilët braktisën trupin e saj të pajetë në urgjencën e spitalit.
Mësohet se Dardan Krivaça kishte vendosur kamera në banesë që monitoronin çdo lëvizje të viktimës. “Në korridor të banesës së të pandehur ka pasur të vendosur një kamera që regjistronte 24 orë. Regjistrimi në kohën e saktë, kamera kishte pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjoja, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhome tjetër, të cilën e kap vetëm në një qoshe. Kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale. Në aktakuzë thuhet po ashtu se Policia ka marrë DVR , që është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orësh dhe atë nga data 19.08.2021 në orën 00:05 deri më 23.08.2021 në orë 00:18”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Pjesë nga dosja:
Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit, Dardan Krivaça, dhe të ndjerës kanë qenë të mira. Këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vjen në orën 16:18 , së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba.
Në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, së bashku me Dardanin.
Sipas aktakuzës, më 21.08.2021, në orën 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate derisa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë.
Në bazë të pamjeve të marra nga kamerat, vërehet se Marigona tashmë e ndjerë nga këto goditje nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë.
Në ora 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit.
10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09. Kur dalin i pandehuri është zhveshur dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit.
13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57, kur i pandehur përmes telefonit kontakton një kohë të gjatë, ku pas këtij kontakti po atë ditë fillimisht në orën 22:00 del nga banesa dhe në orën 22:13, kthehet me të pandehurin, Arbër Sejdiu, të cilët me vete kanë gjëra ushqimore. Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu endeshin në banesën ku u vra Marigona Osmani me një shkop
Pjesë nga dosja:
Arbëri merr shkopin dhe e largon nga dhoma e dërgon në sallon. 14:43, nga sjelljet e të pandehurve rezulton se është edhe koha e vdekjes së të ndjerës, 14:47, të pandehurit të ndjerën e marrin dhe e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku të njëjtën e bart i pandehuri Dardan Krivaça dhe së bashku me të është edhe i pandehuri Arbër Sejdiu, të cilën e lëshojnë në hyrje të Emergjencës dhe largohen nga aty.
Nga çfarë u shkaktua vdekja e 18-vjeçares
Sipas aktakuzës, vdekja e Marigonës ka ardhur si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj saj dhe lëndimeve të shumëfishta si pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme.
Pjesë nga dosja:
Nga raporti i autopsisë rrjedh se e ndjera ka pasur lëndime të freskëta rreth syrit të majtë, të djathtë, përgjatë dorës dhe mjekrës, gjoksit, sqetullës, abdomenit, kofshës së majtë dhe të djathtë, krahut të majtë e të djathtë, parakrahut të majtë e të djathtë. Ndërsa dëmishje dhe gërvishtje lëkurore ka pasur në faqen e majtë në fytyrë, në anën e majtë dhe të djathtë të qafës. Përgjatë dy faqeve dhe në nofullën e poshtme… Thyerje të brinjve dhe shtyllës kurizore. Ka pasur thyerje të unazës së parë dhe të dytë të qafës në mes tyre dhe këputje parciale të palës së qafës në atë regjion.