Tragjedia e ndodhur natën e Vitit të Ri në klubin “Le Constellation” në Crans-Montana vijon të zbardhet, ndërsa autoritetet zvicerane kanë konfirmuar se zjarri që shkaktoi vdekjen e 47 personave u ndez nga përdorimi i fishekzjarrëve brenda ambienteve të lokalit.
Zyra e prokurorit të kantonit Valais dhe policia kantonale bënë të ditur se bëhet fjalë për pajisje jometalike që përmbajnë një përbërje piroteknike, të afta të prodhojnë shkëndija dhe flakë. Këto pajisje janë të projektuara për t’u vendosur në tokë, për t’u fiksuar në një mbështetëse ose për t’u mbajtur në dorë. Sipas dëshmive të para, zjarri u përhap me shpejtësi të madhe, duke krijuar një sasi të konsiderueshme tymi dhe nxehtësi të fortë.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt”, thuhet në deklaratën zyrtare të prokurorisë dhe policisë zvicerane lidhur me hetimin e zjarrit të ndodhur në orët e para të Vitit të Ri.
Autoritetet gjyqësore zvicerane sqarojnë se deri në këtë fazë nuk janë urdhëruar masa shtrënguese ndaj të dyshuarve, pasi kriteret ligjore për paraburgim nuk përmbushen. Sipas tyre, aktualisht nuk ka indicie se personat e përfshirë synojnë t’i shmangen procedurave penale apo një dënimi të mundshëm përmes arratisjes. Po ashtu, nuk po merren në konsideratë rreziqet e përsëritjes së veprës penale apo bashkëpunimit kriminal. Hetimi vijon për të përcaktuar çdo përgjegjësi tjetër penale.
Ndërkohë, menaxheri i klubit “Le Constellation”, Jacques Moretti, ka reaguar publikisht duke shprehur gjendjen e rëndë emocionale pas tragjedisë. “Nuk arrijmë të flemë dhe as të hamë. Jemi të gjithë shumë keq”, ka deklaruar ai, duke shtuar se së bashku me bashkëshorten e tij, Jessica Moretti, janë të gatshëm të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet.
“Do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar në sqarimin e shkaqeve dhe gjithçka që është në fuqinë tonë. Janë përfshirë edhe avokatët tanë”, ka thënë Moretti.
Paralelisht me hetimin për zjarrin, nga e kaluara e Jacques Moretti-t kanë dalë në pah edhe elementë të tjerë. Mediat franceze raportojnë se ai ka pasur probleme me drejtësinë në Francë. Moretti është i njohur për raste të shfrytëzimit të prostitucionit që datojnë rreth tridhjetë vjet më parë dhe ka qenë i burgosur në Savojë rreth njëzet vjet më parë për mashtrim dhe rrëmbim personi. Sipas një burimi policor, ai aktualisht konsiderohet i çliruar nga ajo që përshkruhet si “hija e kriminalitetit të organizuar”.
Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar gjithashtu se janë identifikuar edhe 16 viktimat e fundit të zjarrit, duke e çuar në 40 numrin total të të vdekurve nga tragjedia e ndodhur në klubin “Le Constellation”.
Viktimat e identifikuara së fundmi janë tre gra zvicerane, dy prej tyre 15 vjeçe dhe një 22 vjeçe, një vajzë 24 vjeçe me shtetësi zvicerane dhe franceze, tre shtetas italianë përfshirë një vajzë 16 vjeçe dhe një djalë 15 vjeçar, një grua portugeze 22 vjeçe, një grua belge 17 vjeçe, gjashtë gra franceze të moshave 33, 26, 23, 20, 17 dhe 14 vjeçe, si edhe një djalë 15 vjeçar me shtetësi franceze, izraelite dhe britanike.
Hetimet për tragjedinë vijojnë, ndërsa autoritetet synojnë të sqarojnë plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë që çuan në një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në Zvicër gjatë viteve të fundit.








